MENU
klinika

Dossier

Nga Akademia Voskopojare tek qyteti i Korçës

18.09.2018 - 14:04

Pakkush është në dijeni të faktit se para themelimit të Korcës si qytet, format e para të organizimeve sociale lindi në disa zona që sot dallojnë si për historinë shekullore ashtu edhe për traditat e kulturën. Para “Parisit të Vogël “, kultura korcare mori hov zhvillimi në mallet përreth fushgropës së Korcës.

Madje sipas historianëve qytetërimi u tkurr nga Voskopoja drejt fushës së Korcës prej nga u krijua edhe qyteti. Në ditët e sotme në kushtet e një zhvillimi teknologjik inovativ, Korca si kryeqendër sërish e mbështet ekzistencën e saj mbi një modalitet varësie ndaj zonave përreth sikurse Voskopoja, Dardha dhe Vithkuqi, destinacione kryesorë të turizmit korçar.

Përse Voskopoja ?

Vetëm 21 km larg qytetit të Korcës , Voskopoja dallon për historinë e saj. Dikur qendër e zhvilluar kulturore e themeluar në vitin 1330 e përbërë nga shqiptarë, arumunë e grekë, Voskopoka u shëndrrua në epiqendër të kulturës për shkak se në të u vendos shtypshkronja e dytë në gjithë Perandorinë Osmane.

Në të u themelua Akademia e Re, një jetimore (e para në botën post-Bizantine), një spital si dhe 30 kisha unikale. Anastas Kavaljoti ishte ai qe mendohet se përgatiti alfabetin e parë shqip, madje shkroi dhe disa traktate në gjuhën shqipe, të cilët sot janë zhdukur. Voskopoja u shkatërrua nga disa djegie të njëpasnjëshme: më 1769 nga fiset myslimane shqiptare të Dangëllisë të cilët e sulmuan si qendër ortodoksie dhe në 1788 kur trupat e Ali Pashës e rrafshuan përfundimisht.

Pamja që i ofrohet vizitorëve nga Kisha e Shën Prodhomit është e mahnitshme , prej nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Më 1720, ekonomia e qytetit mbështetej tek artizanati, tekstile dhe tregtia midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916.

Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar. Aktualisht në fshat kanë mbijetuar 8 kisha që nuk mund të konsiderohen aspak në gjendje të mirë. Kisha e Shën Ilias është e dëmtuar dhe pritet që të merret në dorëzim nga një shoqatë franceze, për t’u restauruar. Ish-Kampi i Pionierëve në këtë zonë është shndërruar prej disa vjetësh në pikën e vetme, ku mund të gjesh kushtet e nevojshme për turizëm malor.

Hoteli i vendosur tek ish-Kampi mes pishash të shumta, është pagëzuar me emrin ‘Akademia’. Ndërtuar që në vitin 1954, vitet e fundit është restauruar duke i dhënë një stil unik, në harmoni me natyrën përreth, me një pistë në qendër të sipërfaqes së tij. Pika është e frekuentuar gjithmonë jo vetëm nga njerëz aktivë, që duan natyrën dhe sportet, por edhe nga vizitorë që çmojnë qetësinë dhe relaksin që ofron largësia e pikës nga pjesa tjetër e banuar. Në dimër funksionon Pista e Skive dhe zhvillohen garat e famshme rajonale. Në të janë zhvilluar gjithmonë edhe kampionate kombëtare.

Në zemër të Vithkuqit

Në një largësi prej 26 km ndodhet i fshehur mes malesh një prej thesareve më të mëdhenj të Korcës, Vithkuqi. Njihet si vendbanim që në Mesjetë. Në shek. XVII ka qenë një nga qendrat më të zhvilluara në rajon. Ka pasur monumente kulturore si Afresket e Manastirit të Shën Pjetrit e Pavlit të piktorëve Zografë.

Vithkuqi është vendlindja e Naum Panajot Bredhit nismëtarit të Rilindjes Kombëtare, hartuesit të “Evetarit” abetares së parë shqipe me 33 shkronja. Ky fshat vec harmonisë së natyrës me lashtësinë e kalldrëmeve ofron edhe një sërë destinacionesh eklistike. Kisha me e madhe e Vithkuqit është kisha e Shën Mëhillit, e ndertuar ne 1728, e përbërë në konstruksionin e brendshëm nga disa afreske , një pjesë e të cilave janë në process restaurimi. Ka filluar të zhvillohet Turizmi familjar, sidomos muajt e verës, duke e konsideruar frekuentuesit, si një vend klimatik të shkëlqyeshëm, ashtu si edhe Voskopoja.

Mes atraksionit të natyrës , ushqimit tradicional e historisë së lashtë sa edhe rrugët e këtij fshati, një destinacion për të mos u humbur është edhe Varri i pagëzimit. Ky varr i përket një fëmije te sapolindur. Quhet kështu pasi fëmija vdiq përpara se te pagëzohej.

Thuhet se prindërit donin qe prifti te kryente shërbesën ne gjuhen shqipe por prifti insistonte për greqisht dhe si përfundim i nxori jashtë nga kisha dhe fëmija vdiq nga te ftohtët. Për këtë arsye i është ngritur një varr madhështor ne krahasim me varret e tjera te asaj kohe. Prej disa vitesh tashmë, ai është kthyer në një pikë stopi për turistët e kohët e fundit mbi historinë e tij është botuar edhe një libër nga Artan Mullaj.

Në fshatin e “të larguarve”

Fshati i rebelëve të përndjekur nga Turqia për shkak të mohimit të fesë apo ndryshe I nohur si “Fshati nën Dardhë “ është sot një nga destinacionet më të bujshme për turistët. Dardha ia ka dalë të bëhet e njohur anembanë vendit, jo vetëm për natyrën dhe klimën e saj, por sidomos për traditat, kulturën e të jetuarit dhe për njerëzit e shquar që i kanë dhënë vendit.

Fshati është relativisht i ri, nëse do të pranojmë të tillë kohën prej tre shekujsh qëkurse kemi të dhëna historike. Është themeluar e rritur prej të “ikurve”, rebelëve që përndiqeshin e kishin hesape me guvernën osmane, shpesh sepse nuk donin të ndryshonin fenë. Këta njerëz me gen kryengritësish, gjetën strehë në këtë vend të thellë të maleve dhe u vendosën rreth një stani që gjendej nën një dardhë të egër. Kur i pyesnin “ku gjendeni”thoshin shkurt : “Tek stani nën dardhë”, prej nga koha nxori togfjalëshin “nëndardhë”, që shpejt u rrudh në fjalën “Ndardhë”.

Dardha mburret me origjinën nga e folura deri tek veshjet, këngët e vallet. Studimi i arkitekturës së fshatit dëshmon për një model të veçantë të stilit europian që haset edhe në fshatra të tjera të Jugut. Pamja që shfaqin ndërtimet dhe urbanistika e fshatit, ndërtesa solide, të bukura, prej guri të gdhendur e mbuluar me ploça të hirta, rrugët me kalldrëme , krojet e shumta, punishte për zeje kryesore, njësitë tregtare deri në fillim të viteve ‘40-të i jepnin fshatit pamjen e një qyteze të lulëzuar, ndonëse për shkak të ikjeve në mërgim popullsia tani mezi arrinte 1000 vetë.

E folura e fshatit ka ruajtur deri vonë disa trajta të vjetra të shqipes të ngjashme me çamërishten. Unikla është kostumi i grave , kuq e zi. Aq i bukur e i veçantë është aq sa kanë dashur ta përvetësojnëDisa nga vallet e njohura të grave janë krijuar në Dardhë. Duke qëndruar tek historia mund të them se ky fshat paraqet një nga modelet e bukura të vitalitetit tonë kombëtar, të krenarisë për origjinën dhe traditat, por edhe të etjes për të lëvizur për të pranuar të renë. Një nga shembuj e qëndrueshmërisë së këtij gjeni mund të sillet nga ky fakt. Për 150 vjet dardharët mësonin në shkollë greqisht ,por e mbanin atë thjesht si një gjuhë të huaj.

Ishte traditë në të kaluarën në Shqipëri që profesionin e ushtruar nga një pjesëtar i farmiljes, më i vjetri në moshë, t’ua mësonte, e t’ia linte trashëgim vëllazërve, bijve ose të afërmve të fisit. Tipik është rasti i një plejade të tërë piktorësh dardharë, të cilët duke ushtruar profesionin e zografit e kanë lënë atë trashëgim brez pas brezi. Kjo brezni piktorësh, fillon me Nikolla Zengon ne gjysmën e dytë të shek. 18 -të e përfundon me piktorë të kësaj familjeje në ditët tona, si Andromaqi e Sofia Zengo. Për këto e vlera të tjera Dardha çdo vit tërheq qindra turistë që zgjedhin të struken nën një guaskë delikatese e historie shekullore.

Përgatiti: L.S.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dossier: “Majestic” në 9 dekada

Epopeja e një kinemaje