MENU
klinika

Flet legjenda e peshëngritjes

Nga cirku te shtanga, Faruk Kalleshi për “Guinness”

30.09.2018 - 12:27

Në rubrikën e përjavshme “Legjendat e Sportit Shqiptar”, i ftuari i radhës në studion e “Konica.al” ishte kampioni i peshëngritjes Faruk Kalleshi, me plot 21 vite karrierë mbi shpatulla, gjithmonë në ngritje, me rezultate fantastike.

I lindur me 6.12, 1945, në Shkodër, Faruk Kalleshi la cirkun për t’iu futur peshëngritjes, ku arriti të thyejë 116 rekorde kombëtare, që fare mirë mund të ishin futur në librin e rekordeve “Guinness”, nëse federata do t’i kishte mbajtur me saktësi dhe do t’i dërgonte.

Në intervistën e mëposhtme me gazetarin Eduard Ilnica, Faruk Kalleshi tregon detaje nga jeta dhe garat e tij, që nga fillimi i karrierës dhe deri te medalja “Nderi i Kombit”, vlerësimi më i madh që mund t’i bëhet një personaliteti në Shqipëri.

Si nisi të merreshe me peshëngritjen, kur ju fillimisht ishit regjistruar në cirkun e Shkodrës?

Në fakt, mund të them që e kam disi të trashëguar, edhe pse në fillim nuk e doja peshëngritjen. Babai im, Xhemal Kalleshi, ishte shpallur kampion Shqipërie në peshën e vet, në vitin 1951. E mbaj mend, sepse kam qenë 6 vjec, por gjithsesi, mua më pëlqente cirku.

Teksa po stërviteshim, një ditë më sheh trajneri i peshëngritjes, sepse po ngrija ca pesha, dhe pa forcën time. Më pyeti i kujt jam dhe unë i tregoj. Ai menjëherë kishte takuar tim atë dhe kur shkoj në shtëpi, si pak me urdhër, më thotë: Do merresh me peshëngritje!

Gara e parë e juaja, kur daton dhe çfarë rezultatesh arrite?

Ka qenë viti 1964, u zhvilluan garat në Berat. Kuptohet, isha i panjohur, por që në provën e parë thyej rekord kombëtar në peshën time. Komentatori i njohur sportiv Ismet Bellova thoshte asokohe: Një kampion i madh i peshëngritjes po vjen.

Isha 19 vjeç, tre vende të para, shkëputje, shtytje dhe dygarësh, dhe kujtoj që më dhanë shpërblim 6 mijë lekë, që ishin shumë në atë kohë. E kështu pastaj vijuam stërvitjen dhe garat njëra pas tjetrës.

Cili ka qenë viti që keni arritur më shumë rezultate?

Viti 1966 ishte më i suksesshmi, pasi theva disa rekorde kombëtare. Isha në formën time më të mirë sportive, 21 vjeç, në çdo garë i vija vetes si qëllim të përmirësoja rezultatet e mia, pasi vetëm kështu mund të mposhtja edhe konkurrentët.

Keni garuar vetëm në peshën 52 kg apo edhe në peshë tjetër?

Kam garuar edhe në peshën trupore deri në 56 kg. Ka qenë një moment që unë po i afrohesha rekordeve të kësaj peshe dhe kalova në këtë peshë trupore. Kam thyer rekordin e të madhit Ymer Pampuri, me 5 kg, edhe pse nuk kisha konkurruar asnjëherë në atë peshë.

Pastaj sërish kalova në peshën time natyrale 52 kg, sepse aty jepja maksimumin, shto dhe faktin që jashtë vendit mund të merrja rezultate shumë më të mira në këtë peshë.

Nëse në Shqipëri i thyenit rekordet njëri pas tjetrit, po në arenën ndërkombëtare?

Kemi bërë disa gara, por të kuptohemi, atëherë jo në çdo aktivitet merrnim pjesë, pasi shumica organizoheshin në vende që Shqipëria nuk shkonte. Gjithsesi, në Kinë, kam treguar nivel dhe njerëzit habiteshin që një shtatshkurtër të ngrinte kaq shumë.

Episodi në Rumani gjatë miqësores?

Ishte fillimi i viteve 70’, mbaj mend që kisha vajzën 1 vjeçe (Anila Kalleshi, dietologia e famshme shqiptare) të sëmurë në spital, kur më vjen lajmërimi që duhet të isha patjetër në një turne në Rumani.

E refuzova fillimisht me arsyen e vajzës, por erdhën njerëz dhe mjekë, pasi më bindën për sigurinë e shëndetit të Anilës, shkuam në Bukuresht. Me thënë të drejtën, mendjen e kisha gjatë gjithë kohës në Shqipëri te familja dhe te vajza.

Ngre provën e parë dhe i them trajnerit nuk po dal më sepse mjafton ky rezultat për vendin e parë. Mirë më thotë, ti e di…Kur në ato momente dëgjoj një zhurmë nga salla. Një peshëngritës tjetër shqiptar, Sulejman Guri, kishte thyer rekordin tim. I them trajnerit tim, vendos menjëherë edhe 2.5 kg më tepër. Dal dhe e ngre, duke mos i lënë mundësi të gëzohet më shumë 3-4 minuta.

Sa rekorde kombëtare ke thyer?

Sipas llogaritjeve të gazetarëve sportivë të kohës, të mbajtura që nga gara e parë dhe deri tek e fundit, janë 116 rekorde kombëtare të thyera në 21 vite karrierë. Ka pasur gara që unë thyeja në çdo ngritje rekorde.

Më thonë që, nëse do të ishin mbajtur me përpikmëri nga ana e federatës dhe do të dërgoheshin në librin e rekordeve “Guinness”, do të isha pjesë e historisë botërore në peshëngritje. Por nuk ka qenë ajo dashamirësi, as atëherë dhe as më vonë.

Cili është rezultati më i mirë në arenën ndërkombëtare?

Ka qenë një turne i organizuar në Turqi me rastin e 100-vjetorit të Ataturkut. Merrnin pjesë peshëngritës më të njohur të botës. Kisha shumë konkurrentë. Pas 2 provave, isha në zonën e medaljeve, të bronzit e kisha siguruar. Më thotë trajneri, e provojmë me 2.5 kg më shumë për argjendin…

I them: Sa duhet për medaljen e artë? Më thotë: 5 kg më tepër. Vëre, – i them! Pata shumë vështirësi në momentin e parë, sepse ne asokohe bënim shumë pak për këmbët, kur faktikisht këmbët kanë rolin kryesor. Gjithsesi, arrij ta ngre në gjoks.

Në stilin e shtytjes, shumë rrallë ka ndodhur që, pasi arrija ta ngreja në gjoks, të dështoja. Kështu që edhe kësaj here arrita ta ngre. Brohoritje në sallë, ndërsa gjyqtaria më thoshte që të ulje shtangën, unë unë e mbaja akoma lart. Trajneri më thoshte nga poshtë: Ule more, se po më pushon zemra!

Rikthehem në Shqipëri me 3 medalje ari dhe të themë të drejtën më nderuan dhe më respektuan shumë, pasi jehona kishte qenë e madhe në Turqi. Shqipëria nuk kishte marrë kurrë 3 medalje ari njëherazi në peshëngritje.

E nisët në vitin 1964, kur latë?

Ishte viti 1985, Spartakiada e fundit. Isha 39 vjeç, por arrita të ngre nga 10 kg më shumë për stil nga konkurrentët e tjerë. Mendova që ishte moment për ta lënë, sepse kisha edhe impenjime të tjera familjare dhe pune. Dal në pedanë, hedh rripin dhe them: Me kaq, unë e mbyll!

Trajneri e shumë të tjerë më thonë: Mos e lë, tip po ngre 10 kg më shumë se të tjerët, pse e bën këtë? Por e kisha ndarë mendjen. Madje edhe trajtimin ushqimor e kisha shkruar në emër të një peshëngritësi të ri, që më pas me nderoi.

Më vonë me çfarë u morët?

Dhashë mësim, ndihmova në disa projekte, por më shumë isha krah i bashkëshortes, e cila merrej me cirk. Edhe pse nuk merresha me peshëngritje, ka qenë një periudhë intensive, ndoshta edhe koha ishte e tillë, sidoqoftë, nuk iu riktheva më sportit aktiv.

faruk kalleshi me Anila Kalleshi dhe bashkeshorten
faruk kalleshi me Anila Kalleshi dhe bashkeshorten

Në 1998 erdhët në Tiranë dhe nisët një aktivitet të rrallë në Shqipëri?

Po, ashtu është. Meqë unë gjatë gjithë karrierës sime nuk kisha pasur luhatje trupore, vetëm kur me dëshirë ndërrova peshë, mendova t’i futem dietologjisë, ashtu si e mendoja unë dhe me eksperiencën time gjatë sportit.

Ngrita një biznes familjar, që sot e ka trashëguar ime bijë Anila Kalleshi, që e ka çuar në një nivel tjetër, pasi kohët evolojnë dhe bëhen edhe shkencore. Ajo ka ngritur qendrën më të mirë të dietologjisë në Shqipëri dhe unë jam krenar për këtë.

Po trajner i peshëngritjes, si fillove?

Po, në fillim të viteve 2000 e më pas, më kërkuan të jap eksperiencën time. Kishin filluar të merreshin disa vajza, por ishin në nivele amatore akoma, larg rezultateve të botës. Kur e mora në patronazh Fetije Kasajn, të gjithë thonin që nuk bën, por ajo arriti majat.

Ndërsa Romela Begajn e kam marrë nga cirku dhe e futa në rrugën e peshëngritjes. Më vonë, duke dëgjuar të tjerët, trajnerë që shihnin se çfarë bëhej në botë, me suplemente dhe gjëra të tjera, u tërhoqa. Dhe ju tashmë e dini se çfarë ndodhi me peshëngritëset tona, më vjen keq për këtë…

faruk kalleshi Mentor Nazarko
faruk kalleshi Mentor Nazarko

Medaljet e tua nga shteti shqiptar?

Kam marrë shumë dhe jam nderuar thuajse me të gjitha. Në vitin 2000 më jepet titulli “Nderi i Sportit Shqiptar”. Në mungesë të presidentit Rexhep Mejdani, këtë medalje e marr nga Mentor Nazarko, të cilin gjej rastin të përshëndes për thjeshtësinë dhe vlerësimin.

Më vonë presidenti Bamir Topi më vlerëson me “Nderi i Kombit”. Kam qenë gjithnjë pjesë e “10 sportistëve më të mirë”, madje edhe “5 sportistëve më të mirë”, krah Panajot Panos, Ela Tases, Agim Fagut dhe Asllan Rusit. Pastaj çmime e vlerësime të tjera sa të duash.

Pengu juaj i vetëm në karrierën sportive?

Që nuk arrita të thyej rekordin botëror. Mbeta 5 kg më poshtë, pasi emocionet bënë të vetën. Dështova, edhe pse unë isha përgatitur për ta thyer këtë rezultat, madje ishin bërë gati të gjithë për të festuar. Por emocionet bënë të vetën.

Pallati i sportit ishte mbushur plot e përplot, nga 2 mijë vetë që ishin të pranishëm, kishin hyrë 3 mijë apo 4 mijë. Të them të drejtën u emocionova shumë dhe kjo ndoshta ishte arsyeja që nuk e theva dot. Gjithsesi, 5 kg më poshtë ishte një rezultat që shumë pak peshëngritës të tjerë botërorë e kanë arritur.

Intervistuar nga Eduard Ilnica

Kush është Faruk Kalleshi?

Datëlindja: 06.12.1945

Vendlindja:  Shkodër

Vendbanimi:  Tiranë

Veprimtaria sportive 

Gara e parë: 06.12.1964, në Berat

Mbylli karrierën me 3 medalje ari në Spartakiadën e vitit 1984.

Me Partizanin garon nga viti 1966-1968, thyen 38 rekorde kombëtare.

Më 1966 fiton anketën “5 sportistët më të mirë të vitit”, si pjesë e Partizanit.

21 vite kampion radhazi, nga viti 1964 deri në fund të vitit 1984.

Karrierën si trajner e nisi në vitin 1972 në Shkodër. I bënte të dyja njëherësh, edhe sportist edhe trajner.

Po në Shkodër, ka punuar inspektor i sporteve të rënda.

Ka punuar për shumë kohë mësues i edukimit fizik në Shkollën e Mesme Pyjore, Shkodër.

Trajner i Kombëtares së shtangës në vitet 2004-2007, kohë edhe kur e mbylli përfundimisht angazhimin e  tij me peshëngritjen.

 Disa nga titujt që mban Faruk Kalleshi

“Mjeshtër i Merituar i Sportit”

“Urdhëri Naim Frashëri” i klasit të parë

“Nderi i Sportit Shqiptar”, marrë në vitin 1999

“Mjeshtër i Madh i Punës” (dhënë nga Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani në vitin 2000)

Fitues disa herë i anketës “10 sportistët më të mirë”

Urdhri “Nderi i Kombit”, dhënë nga Presidenti Bamir Topi në vitin 2012

“Mirënjohja e Shkodrës”, dhënë në vitin 2012

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista ekskluzive me legjendën Ela Tase

“Volejbollit i fala jetën, të arrish majat, duhet punë”

Speciale/Intervista me Ylli Shehun

“Babai me Dinamon, unë zgjodha Partizanin”


Rroga e “çmendur” që Barcelona do t’i ofrojë!

Super kontratë për Lamine Yamal deri në 2030

“U fsheha pas biçikletave kur Ksavi më thirri në ekipin e parë”

Lamin Jamal: Dua të bëhem legjendë e Barcelonës

Projeksioni i Ligës së Kombeve

Si janë shanset e Shqipërisë në grup