MENU
klinika

Speciale/Intervista me Ylli Shehun

“Babai me Dinamon, unë zgjodha Partizanin”

13.09.2018 - 20:35

Në një rubrikë të përjavshme, “Konica.al” do të sjellë për lexuesit dhe dëgjuesit legjendat e sportit shqiptar, ata që kanë bërë historinë, detaje që nuk i dinit më parë me rrëfime ekskluzive…

Në intervistën e sotme, legjenda e Partizanit, Ylli Shehu, ka rrëfyer se si ai kaloi te të kuqtë, kur në fakt, babai ishte një tifoz i flaktë i Dinamos. Gjithashtu, ish-sulmuesi i Partizanit kujton ndeshjet derbi, kalimin në Athinë dhe në fund ka një këshillë për fëmijët dhe tifozët.

Pse e zgjodhët Partizanin, kur në kryeqytet mund të kishit zgjedhur 17 Nëntorin apo Dinamon?

Partizani ka pasur shumë sportdashës në atë kohë, me shumë tifozë në të gjithë Shqipërinë. Edhe unë isha tifoz i Partizanit fëmijë. Ndërsa babain e kisha tifoz me Dinamon, madje nga më të flaktit. Ka punuar edhe në gardë dhe dihej konkurrenca atëherë me Partizanin. Në stadium rrinte afër udhëheqjes dhe bënte tifo për Dinamon.

ylli shehu me partizanin
ylli shehu me partizanin

Ndërsa unë e kasha shtëpinë te pallatet “Agimi” dhe me anë të të ndjerit Gjergj Thaka, një nga figurat e Partizanit, më sujgeroi të afrohesha te Partizani. Kështu fillova me grupmoshat, duke kaluar hapat një e nga një.

Si ishte debutimi juaj me ekipin e parë?

Debutimin e kam bërë në moshën 16 vjeçare. Duke luajtur me moshat, stafi më kishte parë dhe më marrin. Bejkush Birce më afroi me Partizanin asokohe. Ndeshjen e parë e kam bërë kundër Naftëtarit të Kucovës, që për fat të keq, e humbëm 0-3.

Si përjetoheshin ndeshjet derbi asokohe?

Atëherë ka pasur shumë interes për ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe kryesisht të derbit. Kur unë kalova në ekipin e parë, Partizani kishte 6-7 lojtarë në ekipin kombëtar. Kur i shihnim nëpër rrugë, ishin edhe trupa të mëdhenj.

Nuk e kisha menduar që më pas do të konkurroja me ta për një vend në formacion. Derbi pastaj përjetohej me entuziazëm të madh, flitej për të 1 muaj rresht.

ylli shehu 2
ylli shehu 2

Cila ka qenë ndeshja jote që ju ka mbetur në mendje?

Janë disa, kështu që vështirë të ndaja ndonjë. Nuk ishin vetëm ndeshjet derbi, pasi edhe përballjet me Vllazninë, Flamurtarin apo ndonjë ekip tjetër, ishin plot rivalitet. Vitet 80’ kanë qenë shumë të luftuara në futboll.

Po goli juaj që e keni më për zemër?

Golat janë në varësi të rëndësisë së ndeshjes dhe normalisht që derbi merr më shumë emocione. Dhe mbaj mend kur Tirana po fitonte 1-0 në pjesë të parë, neve na doli edhe Musta me karton të kuq, por shënova golin e barazimit dhe për mua, por edhe për tifozët ishte një lloj fitoreje për shkak se ishim me 10 vetë.

Momenti më i hidhur i karrierës suaj sportive?

Momenti më i vështirë ishte kur dëmtova këmbën, që më la shumë kohë jashtë fushës së lojës.

partizani 1988
partizani 1988

Si e përjetuat ftesën e parë, pra grumbullimin e parë me ekipin kombëtar?

Kam qenë lojtar i ekipit Shpresa në atë kohë. Shkuam 3 veta njëherësh nga Partizani, unë, Lefter Millo dhe Skënder Gega. Ka qenë ndeshja me Suedinë, një ekip famoz në atë kohë. Që në debutim bëra ndeshjen më të bukur timen me ekipin kombëtar.

Në minutën e 60-të shënova golin e avantazhit, por për fat të keq, suedezët përmbysën në fund, duke shënuar dy gola. Vërtet keqardhje, sepse mund të kishim shënuar gola në atë ndeshje, por eksperienca suedeze na mposhti.

Ndryshimi mes kombëtares së kohës tënde dhe të sotmes?

Ndryshimi më i madh është se sot luajnë të gjithë jashtë vendit, kanë më shumë eksperiencë dhe e njohin tregun dhe shumë situate të ndryshme loje, ndërsa ne luanim të gjithë në kampionatin shqiptar.

Pse ikët në 93’ në Athinë tek Apollon, kur shokët e tuaj ishin larguar më shpejt?

Në fillim të viteve 90’ unë dëmtova gjurin dhe kjo ishtëe arsyeja pse unë ika më vonë se të tjerët. Dëmtimi ishte shumë i rëndë, sepse operacioni nuk mund të kryhej këtu. Më ndihmoi federata dhe mjeku Lluka Heqimi për të bërë ndërhyrjen në Greqi.

Rikuperimi ishte i ngadaltë, u riktheva të luaj me Partizanin, ku u shpallëm kampionë për herë të fundit në 93’. Pastaj gazetari Kosta Grillo më mundësoi që të kaloja tek Apollon, ku nisa karrierën jashtë vendit.

Pastaj kaluat në Kroaci te Sibenik…?

Tek Apollon i Athinës unë luaja si i huaj, por rregullat e kampionatit grek ishin që lejoheshin vetëm 3 të huaj, ndërsa një pjesë e mirë e shokëve luajtën si vorio-epiriotë për t’u quajtur vendas dhe jo të huaj.

Prisha kontratën dhe së bashku me Dostin dhe Aliajn ikëm në Kroaci. Unë luajta me Sibenik, ndërsa dy shokët e mi u aktivizuan me skuadrat e tjera.

Po kalimi në Belgjikë si u arrit?

Nëpërmjet menaxherit të Sibenik, u bë e mundur të kaloj te Cercle Brugge, pasi në Kroaci kisha lënë gjurmë si ndër shënuesit më të mirë, madje isha pjesë e formacionit më të mirë të atij viti. Pikërisht duke lënë këto përshtypje të mira, u bë i mundur rikthimi te Sibenik.

Pastaj e mbyllët me fubollin e luajtur?

Jo, kalova në kampionatin boshnjak. Disa biznesmenë kroatë donin të zhvillonin kampionatin boshnjak dhe më morën edhe mua si futbollist me eksperiencë dhe me emër, për të krijuar ekip dhe afruar pranë lojtarë të tjerë cilësorë.

Pse zgjodhët pikërisht Teutën të trajnoni në nivele të larta?

Do të thoja se ishte koicidencë, ndoshta edhe për faktin se ekipin e Partizanit po e drejtonin emra të tjerë të mëdhenj. Ishte presidenti Hasanbelliu që më kërkoi dhe gjithçka më rodhi natyrshëm.

shehu ylli te teuta trajner
shehu ylli te teuta trajner

Po kur u riktheve te Partizani, në rolin e trajnerit?

Në fakt, unë kisha drejtuar ekipe të akademisë dhe si të thuash e njihja klimën, njihja ekipin, megjithatë, e pranoj, ishte kënaqësi më vete. U ndjeva komod, si në shtëpinë time. Unë vazhdoj të drejtoj edhe sot ekipin U-17 të Partizanit.

Çfarë i duhet Partizanit për të rikthyer titullin, atë titull ku ju e fituat për herë të fundit si futbollist më 93’?

Vitet e fundit ka pasur konkurrencë të fortë, pra, nuk ka qenë vetëm Partizani në nivele të larta. Gjithçka varet nga merkatoja, lojtarët e vendit dihen, më të mirët i pati marrë Skënderbeu. Problemi i Partizanit ka qenë sa janë 6-7 elementë dhe në fund të vitit janë larguar 4-5, pra nuk ka krijuar stabilitet.

Po Kombëtarja si t’u duk në dy ndeshjet e fundit?

Vitet e fundit jemi mësuar të shohim një ekip kombëtar që fiton ndaj ekipeve të të njëjtit nivel, pse jo, edhe pak më të forta. Kohët e fundit janë bërë ndryshime në ekipin kombëtar dhe prandaj ka pasur luhatje në rezultate. Do të formohet baza e grupit, por unë jam besimplotë që do të ketë ecui të mirë.

Një mesazh për lexuesit dhe dëgjuesit e “Konica.al”, për sportin dhe futbollin në veçanti?

Aktivizoni fëmijët me sport, nuk ka rëndësi deri në çfarë niveli shkojnë, por ata kur të rriten këtë do të mbajnë mend, duke thënë: edhe unë kam luajtur futboll me moshat dhe kam pasur filanin që nesër mund të jetë në Kombëtare.

Por njëkohësisht, duke u marrë me sport, fëmijët qëndrojnë larg veseve, larg drogës, duhanit, alkoolit dhe gjërave të tjera jo të mira.

Ndërsa për sportdashësit kam një mesazh: Shkoni në stadium, është bukur ta shihni direkt ndeshjen, por gjithnjë të përmbajtur, bëni fort tifo për ekipin e zemrës, por pa fyerje, sharje dhe dhunë.