MENU
klinika

Fitorja e thellë

Rekordet që vendosi Kombëtarja në Moldavi

15.10.2019 - 13:57

Fitorja 4-0 në Moldavi është historike për Shqipërinë. Ndonëse përballë një rivali modest, shifrat tregojnë se ky sukses është një rekord për Kombëtaren shqiptare.

Së pari, fitorja 4-0 nuk ishte arritur asnjëherë më parë në një ndeshje zyrtare jashtë fushe. Deri më tani krenoheshim me fitoren 3-0 në Izrael, që ishte edhe ndeshja e fundit e trajnerit De Biasi në stolin kuqezi.

Së dyti, asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte shënuar 3 gola në pjesën e parë në një ndeshje zyrtare. Për më tepër, golat janë shënuar në harkun kohor të 18 minutave, duke vendosur një rekord më vete. Gjithsesi, ekipit aktual kombëtar i mungojnë dy pikë për të barazuar rekordin e 14 pikëve në fushatën eliminatore Euro 2016.

Shqipëria mund të kalojë 14 pikët, por kujtojmë që në grup janë 6 skuadra dhe jo 5 si 4 vjet më parë. Një tjetër risi në fitoren e thellë ndaj Moldavisë ishte fakti që shënuan 3 futbollistë që kanë shumë pak kohë që luajnë për ngjyrat kuqezi, madje njëri prej tyre debutoi me gol. Rey Manaj, Keidi Bare dhe Lorenc Trashi shkruan emrin e tyre në listën e gjatë të shënuesve të të gjitha kohërave.

Ishte ndeshja e 10-të e Manajt, por sulmuesi është aktivizuar shpesh si zëvendësues më parë, ndërsa vetëm 2 ndeshjet e fundit i ka luajtur të plota. Keidi Bare firmos në ndeshjen e 4-t, edhe ky në dy ndeshjet e fundit ka luajtur titullar.

Qershia mbi tortë është Lorenc Trashi, i cili realizoi një gol të bukur që në debutim. Më parë ishte grumbulluar edhe dy herë. Ndërkohë, një tjetër rekord për kuqezinjtë ishte debutimi i 3 lojtarëve të rinj në një ndeshje zyrtare. Trashi, Kumbulla dhe Selahi veshën për herë të parë fanellën kuqezi. Me siguri ndaj Andorrës do të debutojë edhe Taulant Seferi, gjithmonë nëse nuk do të ketë risi të tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN