Tregu i pasurive të paluajtshme është në rritje gjatë këtij viti. Agjentët imobiliarë dhe firmat e ndërtimit të intervistuara në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë janë shprehur që koha mesatare e shitjes së pronave në rang vendi gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 ishte mesatarisht 10 muaj ose rreth 2.2 muaj më e shkurtër sesa në gjashtëmujorin e dytë 2017.
Sipas Bankës Qendrore, indeksi i çmimit të banesave në rang vendi shënoi rritje me 8.1% në krahasim me gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Sipas vrojtimit, në rritje kanë ndikuar kryesisht zonat e Tiranës dhe bregdetit.
Anketimi tregon se rreth 75% e pronave për banim dhe përdorim janë blerë me hua bankare. Kostoja relative e pagesës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme ka rënë, duke reflektuar kushte financiare më të lehtësuara për blerjen e pronave të paluajtshme nga këndvështrimi i huamarrësit.
Nga vrojtimi i aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë 2018, rezultoi se kërkesa e individëve për kredi për pasuri të paluajtshme ka shfaqur rritje, ndërkohë që kushtet për miratimin e kredisë raportohen më të lehtësuara.
Të dhënat e sektorit bankar për gjysmën e parë të vitit tregojnë një nivel pothuaj të pandryshuar të tepricës së kredisë për blerje pasurish të paluajtshme, të shoqëruar me rënie të lehtë të normave të interesit të kësaj kredie.