Ashtu siç edhe ishte njoftuar, opozita e bashkuar është mbledhur sot në qytetin e Durrësit, duke bojkotuar sërish seancën e Kuvendit. Nga qyteti bregdetar, kryedemokrati Lulzim Basha ka folur për aksionin opozitar, si dhe vettingun në politikë.
Basha i ka bërë thirrje kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të publikojë online në faqen zyrtare të Kuventit, propozimin e PD për vettingun në politikë.
Nga ana tjetër, mazhoranca pritet të rrëzojë sot në Parlament ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ligj i kthyer nga Presidenti Meta, duke e arsyetuar me uljen e barrës fiskale për lojërat e fatit, duke kujtuar se në këtë mënyrë do të stimulohej më shumë kjo industri.
Kjo është seanca e tretë e Kuvendit për këtë sesion që opozita e bojkoton në shenjë rezistence kundër krimit, që sipas saj ka mbështetjen e qeverisë.
Më herët opozita është mbledhur në qytetin e Shkodrës dhe të Elbasanit.