Komisioni i Ligjeve ka filluar punën për këtë sesion të ri parlamentar, ndërsa Reforma në Drejtësi ishte tema që mbizotëroi diskutimin.
Por në këtë fillim mazhoranca ishte e vetme, pasi opozita zgjodhi të vazhdojë marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin, ashtu siç kishte bërë të ditur dhe më herët.
Kryetari i komisioneve të ligjeve Ulsi Manja, nuk e la pa komentuar këtë situatë.
“Edhe kolegët e opozitës do të duhet të ishin të pranishëm. I ftoj që të japin kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit ligjbërës”, tha ai.
Pavarësisht mungesës së opozitës, Komisioni i Ligjeve zhvilloi seancë dëgjimore me 9 anëtarët që garojnë për Komisionin e Pavarur për Monitorimin e organeve të reja të Reformës në Drejtësi.
Në mbledhjen e radhës të komisionit do të përzgjidhen 5 anëtarët që do të kalojnë më pas për votim në Parlament. Detyra e këtij institucioni të ri do të jetë monitorimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Gjatë diskutimeve në komision deputetët e Mazhorancës u shprehën se brenda këtij sesioni parlamentar duhet që të përmbyllen 27 ligjet e Reformës në Drejtësi dhe për këtë, kryetari i komisioni i bëri thirrje edhe opozitës që të japë kontributin e saj.
9 Anëtarët
1. Andi Murataj
2. Artan Spahiu
3. Gëzim Allaraj
4. Ilir Kadiu
5. Irena Mino
6. Saimir Shehrru
7. Sajnir Vishaj
8. Suzana Pasha (Hoti)
9. Lindita Rujsmajli