MENU
klinika

Reforma e ujit

Paguajmë ujë jo të pijshëm/ BE sjell projektin e ri

18.09.2018 - 16:47

Programi i Bashkimit Europian, në mbështetje të reformës për ujin në Shqipëri, është lançuar ditën e sotme.

Gjatë prezantimit të programit ishte parashikuar të zhvillohej dhe tema “Qytetarët shqiptarë paguajnë për ujë jo të pijshëm”.

Ajo çfarë u vu re ishte se pikërisht kjo temë nuk u trajtua në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga asnjë prej të pranishmëve.

Duke shprehur dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të kësaj reforme në këtë sektor, synimi i projektit të BE-së, paraqet përdorimin e sigurtë të ujit të pijshëm si dhe riciklimin e tij.

Lidhur me reformën z.v/kryeministrja, Senida Mesi, u shpreh se do të nisin aksione konkrete në të gjithë territorin.

“Është koha që të japim shembull konkret dhe me aksione konkrete të adresojmë një çështje të tillë kaq jetike.Toka, ajri dhe uji nuk janë një trashëgimi nga etërit tanë, në fakt na është dhënë me kredi që t’ia kalojmë fëmijëve tanë”.

Ky projekt ka dhe bashkëfinancues të tjerë përfshirë këtu qeverinë gjermane e cila po investon vlerën prej 6.3 mln euro.

“Bashkarisht po punojmë që Shqipëria të furnizohet me ujë të pijshëm. Gjermania, përveç ndihmës financiare në këtë projekt, do ta ndihmojë Shqipërinë edhe me eksperiencen e saj teknike”, ka thënë ambasadorja gjermane në Shqipëri.

Pritshmëritë ndaj këtij projekti janë përmirësimi i përformancës së shoqërive të ujësjellës kanalizimeve, si dhe të forcimi i pozicionit të Agjensisë së re Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.