MENU
klinika

Albert Çaçi

Pasojat e globalizmit

27.09.2018 - 09:26

Vendosja e taksave doganore dragoniane nga ana e Trump ndaj Kinës për 200 miliardë dollarë po shkakton një përshtjellim të rendit ekonomik botëror me përmasa që nuk ishin parë deri tani. Kjo luftë tregtare sapo ka nisur  dhe  pasojat do të duken pak më vonë, ndoshta në fillim të vitit tjetër.

Shumë persona, sidomos kundërshtarët e Trump, që për hir të së vërtetës nuk janë të pakët,  dhe as janë vetëm në SHBA, i cilësojne këto veprime si të papërgjegjshme, nga një njeri pa eksperiencë, që përdor metoda  aspak diplomatike, që pëlqen konfliktet etj, etj, etj.

Por në thelb problemi nuk është kaq i thjeshtë sa duket. Edhe sikur të donte Trump të tilla goditje apokaliptike nuk mund të jenë dëshirë e një njeriu por ato janë produkt i një analize komplekse të një administate të tërë, pasi ajo që po luhet ka të bëjë me gjithë rendin ekonomik botëror.

Shkaku i gjithë kësaj situate zë fill në vitin 1994  kur u vendos lëvizja e lirë e kapitalit dhe mallrave  ose siç u quajt nga ekonomistët e kohës “Globalizmi”.

Trump- Xi Jinping

Të gjithë ishin entuziastë, Lufta e Ftohtë sapo kishte përfunduar,  lëvizja e lirë e kapitalit rriti investimet nëpër botë duke rritur ndjeshëm  GDP . Gjithë bota u mbyt  nga dollarët me kosto të lirë që lëviznin pa barriera duke nxitur prodhimin me kosto të ulët nëpër vëndet jashtë Perëndimit sidomos në Azi. Borxhet e shumë shteteve arritën kulmin. Dukej sikur ishte gjetur Eldorado.

Por ndërkohë  filloi  në Perëndim një  proces gradual  de-industrializimi kurse në pjesën tjetër të botës një rritje e prodhimit konkurues që invadoi gjithë tregjet perëndimore.

Ky rend botëror ekonomik  i bazuar mbi inflancionin e dollarit është natyrisht i favorshëm për Bursën, financën e lartë dhe spekullimet financiare. Kapitali financiar nëpërmjet bankave të fuqishme  duke rritur fuqinë e tyre morën pushtetin real  duke kondicionuar tashmë edhe vendimet politike. Ata me këtë sistem globalist arrinin fitime maksimale. Kur punëtorët e Perëndimit filluan të humbisnin punën dhe përfitimet në favor të kinezëve, meksikanëve, koreanëve apo polakëve, këtu sistemi hyri në krizë. Humbja e milionave vendeve të punës rriti pakënaqësinë  në Perëndim  pasi masave të gjera të popullsisë filoi t’iu binte niveli i jetesës dhe nuk entuziasmoheshin me rritjen e GDP apo aksioneve  të Bursës.

Fitorja e Trump në mënyrën  më të papritur dëshmoi reagimin e njerëzve që nuk kishin patur përfitime nga globalizmi.

Njeriu që në fushatë u pozicionua qartë kundër globalizmit, kundër de-industrializimit të SHBA  dhe që iu premtoi se do ta ndryshonte këtë sistem ishte ai që u vlerësua më shumë nga elektorati.

Dhe Trump po bën pikërisht ato që ka premtuar, por ndoshta edhe ai vetë nuk e kishte të qartë se sa i komplikuar ishte problemi dhe masat e tij dragoniane tani shkaktojnë shumë kundërshtime pasi prekin  interesa  shumë të fuqishme transversale.

Në  gamën e mallrave  që SHBA importon nga Kina me një vlerë prej 507 miliardë dollarë në vit, dhe që tani do  të  taksohet për 200 miliardë dollarë, shikon   një listë impresionuese produktesh  që nga smartfone, kompiutera,  elektoshtëpiake,  makineri, auto,  pistona, turbina, një gamë totale produktesh  plastike, veshje,  pneumatike, prodhime  siderurgjike, dhe deri tek lodrat e fëmijëve dhe peshqit e akuariumit,  plot 193 faqe. Një  listë që tregon masën monstruoze të de-industrializimit amerikan dhe perëndimor.

Kjo dëshmon qartë dhuratën kolosale që globalistët dhe financa e lartë i bëri Kinës  në këta 25 vjet duke zbërthyer portat nëpërmjet  tregtisë së lirë. Madje  duke lejuar Kinën që të eksportojë edhe  me një valutë të zhvlehtësuar duke kryer një dumping kolosal jo vetëm me pagat e saj të ulëta por edhe me Juanin të komanduar në ulje nga shteti komunist. Ndërkohë që miliona inxhinierë kinezë çdo vit rrëmbenin teknologjinë e lartë perëndimore që prodhonte në Kinë. Dhe tashmë Kina është kthyer në rivalin stategjik numër një.

Masat dragoniane që po merr tani Trump duhet t’i merrte Bill Klinton 20 vjet më parë. Sepse tashmë taksat që SHBA po vendos kanë sens nëse ajo do të fillojë të ringrejë industrinë e saj që dikur ishte ekselente. A do ta arrijë këtë objektiv Trump? Duket shumë e vështirë. Është një masë e madhe që nga industrialistët që prodhojnë jashtë, financierë, banka  që kundërshtoijnë këtë politikë të Presidentit.

Trump- Xi Jinping

Duke parë këte listë gjigande importi shtrohet pyetja se çfarë prodhon sot ekonomia më e madhe e botës që vazhton të rritet duke kapur  një vlerë astronomike  të GDP prej 18 triliard dollarë. Dhe menjëherë të dalin përpara Wall Street, Google, Apple, Facebook, Amazon, Microsoft që iu  krijojnë  qindra miliardë dollarë pronarëve të tyre të rinj dhe gjenial. 20 vjet më parë Exxon ishte kompania më e madhe në botë jo vetëm në fushën e naftës. Kurse sot Apple  arriti një kapitalizim  për 1 triliard dollarë në bursë duke ia  kaluar 3 herë Exxonit. Sot  pasuria e SHBA  imateriale, financiare dhe kulturore  shkëmbehet me punën e punëtorëve të botës, kryesisht  të Azisë që ajo vetë e ka zhvilluar me  deindustrializim e saj.

Tashmë sektorit të tretë, ai i  shërbimeve të  avancuara nuk i interesojnë më të papunët në Perëndim pasi financa e lartë nuk ka më nevoje për ta. Fitimet kolosale bëhen në pjesë të tjera të globit. Është  krijuar praktikisht  një lloj ekonomie rentiere  nën një formë shumë të avancuar dhe mjaft të sofistikuar.

Por tashmë kontraktidat janë bërë shumë të mprehta. Fitorja e Trump dhe rritja eksponenciale e sovranistëve në Europë janë shprehje direkte e kësaj pakënaqësie  dhe shprehin qartë se ky lloj rendi ekonomik botëror ka hyrë në krizë pasi ka krijuar disbalancime shumë të mëdha, që tashmë po bëhen konfliktuale dhe shumë të rrezikshme për paqen sociale.

Sidoqoftë Trump ka vendosur t’i shkojë drejt objektivit të tij final “Amerika e para”. Trump është realisht  përfaqësuesi  i kapitalit prodhues amerikan dhe po bën të gjitha përpjekjet për të rregullur të gjitha marrëveshjet ekonomike  që paraardhësit  e tij “entuziastë” i firmosën duke çbilancuar gjithë prodhimin në SHBA në favor të kapitalit financiar.

Ai synon t’i kthejë Amerikës atë prodhim gjigand industrial që inxhinierët e talentuar amerikanë dhe kapitalistët kurajoz bënë Amerikën të madhe.

A do t’ia arrijë? Do të  jetë shumë e vështirë pasi ka një front jashtëzakonisht të madh të atyre që e pengojnë.

Dje në diskutimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB Trump deklaroi se SHBA refuzojnë ideologjinë e globalizmit dhe mbështesin ideologjinë e Patriotizmit.

Duket tashmë qartë që  ai nuk do të kthehet më mbrapa. Masat dragoniane ndaj Kinës dëshmojnë vendosmërinë e tij për t’i demonstruar atyre që e votuan se ai bëri gjithcka për të realizuar premtimet që bëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gabimet që janë bërë...

Nënvlerësimi i Trump nga Erdogan

Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit

'Lufta' për gazin

Marrëveshja e Kaspikut