Ardhja ime në këtë ceremoni nuk ka lidhje fare me Lulzim Bashën dhe as me partinë personale të tij. Unë kam ardhur sot të respektoj në radhë të parë historinë e Partisë Demokratike dhe po ashtu historinë e Shqipërisë, sepse vepra dhe vdekja e Azem Hajdarit janë të lidhura me historinë moderne të vendit.
Sot është një ditë për të kujtuar dhe për të reflektuar të gjithë si shqiptarë, por mbi të gjitha si demokratë.
Unë mendoj se Partia Demokratike, 20 vite pas vrasjes së Azem Hajdarit është në periudhën e vet më të vështirë.
Ne sot si demokratë dhe të djathtë jemi më keq se përpara 20 vjetësh, jo thjesht në numra, por mbi të gjitha në frymë, në atë që po bën opozita dhe atë që përfaqëson sot Partia Demokratike e Lulzim Bashës.
Sepse në atë kohë kur u vra Azemi, Partia Demokratike ishte në vështirësi e agresuar nga kundërshtari politik, i cili kishte realizuar një gjysmë revolucioni për të ardhur në pushtet.
Kurse sot Partia Demokratike është në këtë gjendje për shkak të lidershipit të gabuar dhe për shkak të gafave të rënda dhe keqmenaxhimit të Lulzim Bashës dhe të atyre që e rrethojnë.
(Prononcim pas interesimit të medias gjatë ceremonisë në përkujtim të 20 vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit)
Nga Astrit Patozi