MENU
klinika

Deklarata

PD Gjirokastër: Të shkarkohen drejtorët socialistë

28.09.2018 - 11:45

Kryetari i Partisë Demokratike dega Gjirokastër Roland Bejko njëherazi dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të kësaj force politike pranë këshillit bashkiak ka kërkuar më tepër vëmendje dhe hapësira nga pushteti lokal në këtë qytet, duke kërkuar nga kryebashkiakja Zamira Rami largimin nga vendi i punës së drejtorëve që vine nga radhët e Partisë Socialiste të cilët punojnë pranë sektorëve përkatës në bashkinë e qytetit.

Kjo deklaratë publike bazohet dhe argumentohet prej tij me faktin se tashmë PD-LSI, janë në koalicion opozitar:

“Kam një thirrje për Bashkisë e Gjirokastër dhe LSI-në. Ta ndajnë mendjen. Jo një dorë në bakllava dhe një në revani. Ose në koalicion lokal me socialistët, ose në koalicion me PD-në. Thirrje ime për kryetaren e bashkisë është kjo: Do të vazhdojë të drejtojë bashkinë me drejtorët socialistë që i kanë ngelur që nga koha kur ishin në koalicion, apo do të bëhet një konfigurim tjetër sepse po vijnë zgjedhjet dhe do të kërkohet një mandat i ri nga koalicioni tonë; PD-LSI”, u shpreh Bejko.

E pyetur mbi këtë deklaratë të kreut të PD-së Gjirokastër dhe nëse kishte një koment nga ana e saj kryetarja e bashkisë Zamira Rami tha:

“Unë mendoj që anëtarët e Këshillit Bashkiak ta ndajnë mendjen njëherë e mirë që politika bëhet në selitë partiake respektive, ndërsa në Këshillin Bashkiak gjykohet dhe veprohet në të mirë të këtij komuniteti. Kjo është përgjigjja ime për të gjitha forcat politike që përfaqësohen në këtë këshill. Koalicionet politike janë politika qëndrore të cilat në nivelin lokal zbatohen dhe respektohen në momentin dhe kohën e duhur”.Theksoj edhe njëherë që ne punojmë dhe përpiqemi të ofrojmë më të miren për qytetarët dhe banorët e Gjirokastrës,pasi kjo është detyra jonë” u shpreh Rami.

Këto deklarata erdhën menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku grupi i Partisë Socialiste u largua nga salla.

E.B

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Në lumë derdhen ujërat e zeza

DSHP: Qëndroni larg nga ujërat e Drinos!