MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Prof. Prifti: Si u njoha me pionerin e kirurgjisë së valvolave kardiake

27.09.2018 - 20:43

Unë e kam njohur personalisht Dr.Donald Ross, një burrë i thinjur plotësisht dhe me shtat mesatar.

Kur e takova për herë të parë në Maj të vitit 2000, mbeta i shokuar prej faktit që po takoja një nga mendjet më të ndritura të fushës së kardiokirurgjisë botërore.

Me thjeshtësinë e tij ai është një idhull për kirurgët e rinj. Dr. Donald Ross ishte i pari që zëvendësoi një valvol kardiake me një valvol humane nga kadavrat. Ai shpiku gjithashtu interventin e Ross i cili përdoret sot e kësaj dite për zëvendësimin e valvolës së aortës te të rinjtë.

Dr.Donald Ross u diplomua në mjekësi në të njëjtën ditë me Dr.Christiaan Barnard, një mjek nga Afrika e Jugut i cili më pas do të kryente transplantin e parë kardiak te njeriu.

Megjithëse të dy do të merrnin rrugë të ndryshme, Ross shkoi për specializimin e tij në Angli ndërkohë që Barnard shkoi në Amerikë. Ata mbetën shokë të ngushtë dhe të dy punuan për të realizuar transplantin kardiak.

Dr. Ross tregon për një bashkëbisedim që ai kishte pasur me Dr.Barnard përpara procedurës së parë të transplantit kardiak të kryer nga ky i fundit. “Barnard erdhi një ditë dhe më takoi duke më thënë”, “Kam parë nga afër Dr.Shumway që kreu transplantin kardiak te kafshët dhe unë do ta bëj këtë te njeriu”.

Në të njëjtin vit një gazetar do të pyeste Rossin se kur mendonte se do të kryhej transplanti kardiak dhe ai iu përgjigj që kjo do të realizohej brenda pesë viteve të ardhshme. Në më pak se një muaj më vonë, Dr.Barnard lajmëroi kryerjen e transplantit kardiak te njeriu. Shumë pak kohë më vonë Dr.Ross do të kryente transplantin e parë kardiak në Angli.

Megjithëse puna e tij në fushën e transplantit kardiak ka qenë një aspekt tepër i rëndësishëm, përsëri Dr.Ross do të bëhej i njohur për punën e tij në fushën e kirurgjisë së valvolave kardiake. Kjo ishte fusha e tij më me interes për të që në fillimet e karrierës.

Në Korrik të vitit 1962, Rossi do të implantonte për herë të parë një homograft të valvolës së aortës (valvola e aortës ishte marrë nga një trup human i vdekur) dhe kjo gjë u realizua vetëm dy vjet pasi Starr dhe Harken kishin realizuar zëvendësimin valvular me proteza mekanike.

Dr. Ross do të tregonte për këtë procedurë historike:

Lord Russel Brock ishte mësuesi dhe shefi im dhe më vendosi të punoja me implantimin e homograftëve në laborator me kafshët. Ishte një kohë me të vërtetë e mrekullueshme. Ne merrnim valvola dhe aorta humane dhe i ftohnim në temperaturë shumë të ulëta deri sa ato mund të qëndronin në këtë gjendje për muaj të tërë pa u dëmtuar.

Një ditë, ndërkohë që po operoja një pacient me një valvol tepër të kalcifikuar dhe po mundohesha ta riparoja, e gjithë valvola u dezintegrua. Në atë kohë ne nuk kishim valvola mekanike në Angli. Ekzistonin vetëm valvolat e Starr në Amerikë. Kështu në morëm një nga valvolat humane që i kishim depozituar në frigorifer dhe e qepëm në vend të valvolës së pacientit.

Fillimisht menduam që kjo do të ishte një zgjidhje e përkohshme deri sa të na vinte valvola mekanike e importuar nga Amerika. Gjithçka shkoi shumë mirë.”

Kështu Dr.Ross do të fillonte përdorimin e homografteve në praktikën e përditshme klinike. Në vitet që do të vinin ai do të zbulonte që një homograft i valvolës së aortës funksiononte më mirë në pozicionin e valvolës pulmonare se sa në atë të aortës. Ky zbulim çoi në një hap tjetër tepër të guximshëm në kirurgjinë e valvolave kardiake.

Në këtë operacion, valvola origjinale pulmonare e pacientit hiqet nga pozicioni i saj natyror dhe zhvendoset në vend të valvolës së aortës dhe një homograft valvolar aortik ose pulmonar vendoset në vend të valvolës pulmonare native të pacientit.

Është një operacion teknikisht shumë i vështirë, megjithatë në dy dekadat e fundit ka filluar të pranohet plotësisht nga opinioni shkencor, megjithatë jo të gjithë kirurgët janë teknikisht të aftë ta realizojnë atë, kështu që nuk kryhet në të gjitha qendrat e kardiokirurgjisë.

Megjithatë ky intervent ka rezultate të mrekullueshme dhe duke qenë se valvola pulmonare e vendosur në aortë ka aftësi të rritet me kalimin e viteve, ky intervent është shumë i preferuar dhe i indikuar te fëmijët e vegjël.

Unë kisha shkuar në ‘Royal Brompton Hospital’, pikërisht për të mësuar teknikat kirurgjikale që përdoren në homograftet dhe procedurën e Ross. Fillimisht punonim në tavolat disektore me zemrat e derrit, duke realizuar këto procedura.

Më kujtohet që ishim 20 kardiokirurgë të ndarë në dhjetë tavolina operacioni në një dhomë të madhe dhe Dr.Ross, kur vinte ora për pushim, vinte me një tavolinë me rrota dhe na thoshte: “Would you like something to drink?” (A doni të pini diçka?) dhe ndërkohë që ne bënim pushim ai i përgjigjej pyetjeve tona”.

Ndërkohë në sallën e operacionit mua më ra fati të punoja dhe t’i asistoja njërit prej nxënësve më të shkëlqyer, më virtuoz të kardiokirurgjisë së sotme, Sir Magdi Yacoub, i cili u bë vazhdues i denjë i veprës dhe artit të Dr.Ross, duke realizuar teknika të reja kardiokirurgjikale që sot mbajnë emrin e tij. Por, Sir Magdi Yacoub është edhe një filantropist që ka ngritur një fondacion që quhet “Hope“ (shpresë) nëpërmjet të cilit janë operuar me qindra fëmijë nga vendet e pazhvilluara, duke u financuar plotësisht nga ky kardiokirurg.”

Eksperienca ime prej disa muajsh pranë këtyre gjigandëve të kardiokirurgjisë më mësoi se sa e madhe ka qenë puna e tyre e deritanishme dhe sa përvojë ata kishin mbledhur e cila pasqyrohej me thjeshtësinë e magjishme të njeriut të madh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN