Banoret e Dardhës në Fushë Arrëz, të cilët u përballen me fatkeqësinë natyrore të rrëshqitjes së tokave, gjate pranverës së kaluar vijojnë ende të presin teksa jetojnë në harresën e çdo njërës prej strukturave shtetërore që duhet të merreshin me hallin e tyre.
Ndryshe nga sa ju premtua fillimisht ata veç një pakete ushqimore dhe një çadre portative nuk kanë marr asgjë tjetër nga Shteti, ndërkohë që përfaqësuesit e tij aso kohe u zotuan për ndihmë të menjëhershme. E teksa durimi i ka tejkaluar kufijtë, ndërsa jemi në prag të stinës së reshjeve, banorët e Dardhës paralajmërojnë protesta të cilat do të përshkallëzohen deri në greve urie.
Ata e konsiderojnë si tallje me fatin e tyre, neglizhencën e strukturave shtetërore, ndërsa shprehen se nuk kanë ndërmend të lëvizin nga banesat e tyre të dëmtuara. Banorët shprehen se janë njoftuar të bëhen gati për tu strehuar serish në Kishë gjatë dimrit, por duket se kësaj radhe refuzojnë duke pohuar se në shenjë proteste ata do të jetojnë me rrezikun që ju kanosin rrëshqitje të tjera.