Menu

Analizë

Sa shqetësuese zgjidhja për korrigjim kufijsh!

03.09.2018

Sa shqetësuese lehtësia e padurueshme me të cilën disa qytetarë shprehen se ndoshta edhe do të ishte zgjidhje një korrigjim kufijsh.

Ju lutem shumë, të dashur njerëz, mos u mashtroni prapë sikurse jeni mashtruar përgjatë historisë. Një gjë duhet ta kuptoni, kurrë asnjëherë Rusia dhe Serbia nuk janë ndalur dhe nuk do të ndalin përpjekjen për shtrirjen e interesave të tyre gjeostrategjikë në Ballkan. Edhe nëse ka kaluar koha e luftërave detare apo e rëndësisë së një pikë strategjike për pozicionim, prapë mbetet i pandryshueshëm ngulmi dhe nevoja për ta izoluar një shtet apo për të marrë territor për qëllime tjera strategjike.

Kështu që, për ta paraqitur më kuptueshëm duhet të ju rikujtoj disa pika:

1. qëllimi kryesor i Rusisë gjithmonë ka qenë dalja në detin e Mesdheut, për arsye logjistike të luftës, por natyrisht edhe për tregti dhe resurse të gazit. Për këtë cak Rusia do të punojë gjithmonë pa reshtur. Për këtë arsye edhe ka investuar së fundmi në dy baza ushtarake në rajon, njëra në Republikën Srpska, tjetra në Serbinë jugore.

2. Serbia gjithmonë ka pasur apetite ekspansioniste dhe i është frikësuar një forcimi të shqiptarëve. Historia e shekujve të kaluar na ka dëshmuar se jo vetëm Serbia, por edhe shtetet tjera kur kanë mundur e kanë copëtuar Shqipërinë dhe Kosovën. Politika ndërkombëtare është dhe do të mbetet gjithmonë një betejë ujqërish, sikurse e ka përshkruar Hobbes. Sepse nuk ka një Leviathan ndërkombëtar, kam vetëm Behemoth (një monstrum të padomestikueshëm të gjendjes së natyrshme primare para formimit të shtetit). Harrojeni se ekzistojnë miq ndërkombëtarë. Ekzistojnë ndoshta interesa të cilat në pika të caktuara përputhen, por kur është fjala për territor të përgjithshëm si masë, askujt nuk i intereson Kosova. Mund t’i interesojë në pika të caktuara.

Aleksandar Vucic
Aleksandar Vucic

3. Ne shqiptarët në përgjithësi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi, por edhe Lugina, duhet ta mbrojmë si jetën mundësinë për të pasur kontaktë të pandërprera me Perëndimin. Nuk guxojmë të lejojmë as përafersisht një rrethim nga territore serbe apo me mundësinë që të bëhen aleate serbe në një të ardhme. Lufta në Bosnjë dhe Republika Srpska jo rastësisht e ndan Bosnjen deri në Det. Nëse Kosova e lejon në korrigjim kufijsh siç po e quajnë, atëherë ne jemi duke ia mundësuar Serbisë lojën e radhës me kufijtë, deri sa ajo ta marrë edhe Republikën Serbe dhe kësisoji të ketë vendosur përmes saj, Malit të Zi, përmes një ndarjeje mu në mes të Kosovës duke shfrytëzuar më vonë komunat serbe përmes asociacionit dhe përmes Maqedonisë një lidhje me Greqinë. Po ta vizatoni këtë në hartë e shihni si shkëputet Kosova nga bota perëndimore.

4. Nëse ndodh kjo, ne do të mbetemi në mëshirën e turqve, rusëve, grekëve, malazezëve, maqedonëve dhe serbëve. Të gjithë këtyre ju shërben.

5. Nuk duhet të besojmë se është interes i ndonjërit nga shtetet evropiane apo i Amerikës që të mirret përjetësisht me shqiptarët. Nëse ndodhë kjo ndarje kësisoji, ne do të jemi një problem afatshkurtë, sepse me gjithë ato shtete që i ceka larg si kundërshtare, shpejt do të mundemi. Dhe Evropa do ta ketë një kordon të sigurtë ortodoksizmi i cili do ta mbronte nga ndonjë paradë të mundshmme turke në të ardhmen. Ne do të kemi mbetur jo vetëm jashta portës, por edhe jashta oborrit të Evropës.

6. Nëse ne nuk mobilizohemi të gjithë bashkarisht, do të jemi të humbur në 20 vitet e ardhshme si shtet. Duhet të gjitha partitë të bashkohen kundër një korrigjim të kufijve. Nuk ka korrigjim aty. Ai është ndryshim. Po si të dojnë ta quajne, apo po e parapërgaditë një pastrim etnik. Nuk është koha tani. Jo para se të njihet Kosova me kufijtë që ka dhe të jetë në Bashkim Evropian dhe NATO. Mos luani me zjarrin. Se do të digjeni komplet.

Nga Luljeta Aliu