MENU
klinika

Mangësitë dhe arritjet

Sesioni i kaluar parlamentar, Ruçi bën ‘bilancin’

04.09.2018 - 12:41

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka bërë edhe ‘bilancet’ e institucionit që ai drejton, një ditë pas nisjes së sesionit të ri parlamentar ku opozita bojkotoi seancën. 

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Ruçi ka paraqitur arritjet e sesionit të kaluar parlamentar, ndërsa ka nënvizuar edhe miratimin e ligjit për Reformën në Drejtësi.

“Reforma në drejtësi është sukses i madh i sesionit të kaluar parlamentar. Siç e theksova dhe dje angazhimi jonë për reformën nuk ka sjellë atë produkt që prisnim. Kështu Këshilli për Legjislacionin nuk përmbushi detyrën për Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendi nuk miratoi dot kryeinspektorin e lartë të drejtësisë për shkak të mosfunksionimit të KLP.

Një tjetër mangësi e atij sesioni ishte mosmiratimi i ‘Magjistraturës’. Roli i Kuvendi u forcua dukshëm. Gjatë sesioni që lamë pas u depozituan 63 pr.ligje. U miratuan 55 ligje, nga të cilat me shumicë të cilësuar 26, dhe me konsensus 8 ligje.

Prej shtatorit u miratuan me konsensus 17 ligje, pra 1/5 e akteve të miratuara nga Kuvendi. Opozitës iu plotësuan të gjitha kushtet për të ushtruar shumicën qeverisëse”, tha Ruçi.

I pyetur nëse mendon se ka nevojë për ndryshime në qeveri, Ruçi tha se do të ushtrojë kompetencat e tij si kryetar i parlamentit për instrumentet e parlamentit dhe se do të mirëpriste çdo nismë nga forcat politike.

“Për ndryshimet në qeveri nuk është detyra ime. Unë si kryetar i parlamentit do të mirëprisja që të gjitha instrumentit e parlamentit në momentin dhe kohën që ato do të kërkoheshin do të ushtroja të gjitha kompetencat e mia si kryetar i parlamentit që parlamenti të shprehej. Do të mirëprisja çdo nismë nga opozita apo pozita”, deklaroi Ruçi.

Në lidhje me akuzën e Bashës se parlamenti është fole e krimit, Ruçi deklaroi se parlamenti është zgjedhur nga sovrani dhe kush ka vlerësime të veçanta për individë të veçantë duhet t’i adresojë në institucionet përkatëse.

“Refuzoj të komentoj deklaratat politike si të maxhroancës dhe të minorancës.
Megjithatë nuk mund të qëndroj jashtë këtyre deklarimeve. Jam këtu për të bërë detyrën e kruyetarit të kuvendit. Kuvendi nuk mund të konsiderohet fole kriminelësh. Kuvendin e ka prurë sovrani aty sipas kushtetutës e ligjeve. Kush ka vlerësime të veçanta për individë të veçantë ka institucionet përkatëse. Kuvendi mbetet Kuvend dhe mbështet interesat e vendit”, tha Ruçi.

Lidhur me djegien e mandateve, Ruçi tha se nuk ka dijeni por se nuk e këshillon, duke e konsideruar më efikas diskutimin brenda sistemit.

“Për sa i përket djegies së mandatave nuk e kam dëgjuar, kam dëgjuar marrëdhënie të kushtëzuar, zëra të veçantë para këtij sesioni ka qenë djegia e mandatave. Më falni për mungesën e modestisë, falë eksperiencës i kam provuar të dyja luftën politike brenda dhe jashtë sistemit. Nuk janë djegur ndonjëherë mandatet, megjithatë ka gjithmonë një herë të parë, por nuk e këshilloj. Kushtëzimi, apo termi që djegim mandatin kanë qenë të diskutuara edhe nga opozita e dikurshme, por më rezulton se më efikas është diskutimi brenda sistemit”, deklaroi Ruçi.
M.H