Plot 22 553 qytetarë në nivel qendror dhe vendor i janë drejtuar deri tani platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqeduam.al, ndërsa 21 239 prej tyre kanë gjetur zgjidhje.
Në aktivitetin e organizuar në Korçë, “E gjithë vëmendja për ju”, kryeministri Edi Rama solli edhe njëherë në vëmendje rëndësinë që ka platforma e bashkëqeverisjes për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Kryeministri informoi se, janë 462 raste masash disiplinore, paralajmërimesh për largime nga puna, largime nga puna apo dosje të referuara në prokurori, për të cilët hetimi administrativ ka nxjerrë përgjegjësi dhe ka rekomanduar masën përkatëse”.
Çdo qytetar, theksoi ai, ka fuqinë e pushtetit ekzekutiv, sepse ne e besojmë termin bashkëqeverisje.
“Për ne ky nuk është slogan por një vizion për t’u jetësuar dita-ditës dhe çdo qytetar, edhe ai që duket më i humburi dhe i pambrojturi të largon nga puna, nëse nuk e trajton si qytetar të barabartë të Republikës së Shqipërisë”, shtoi Rama.
“I falënderoj të gjithë ata që morën mundimin të vijnë, dhe që përmes eksperiencës së tyre personale përçojnë tek cilido qytetar mesazhin se, ka një ndryshim të madh, të jashtëzakonshëm, nga dje sot për qytetarët që vendosen përpara arsyes së mosarsyes në zyrat e shtetit dhe trajtohen ashtu siç nuk e meritojnë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se tashmë është ngritur një urë e drejtpërdrejtë komunikimi mes çdo qytetari dhe qeverisë, pasi ankesa e tyre shkon direkt te ministri përkatës.
“Çdo ankesë trajtohet duke marrë zgjidhje brenda 10 ditëve në rastin kur kërkesa është e drejtë, por sidoqoftë duke i dhënë përgjigje ligjore brenda 10 ditëve çdo qytetari. Kjo pasohet nga një hetim administrativ për të gjithë ata që janë përgjegjës për vonesën dhe dëmin moral ndaj qytetarëve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se janë mesatarisht 1950 çështje që trajtohen çdo muaj dhe marrin përgjigje.
“Më vjen mirë po ashtu që në këtë platformë kanë filluar të shtohen edhe kërkesat për interpelanca me ministrat. Çdo grup qytetarësh mund të thërrasë një ministër në interpelancë”, tha Rama.
Ai që i drejtohet platformës, sipas tij, nuk ka asnjë kosto dhe nuk paguan asnjë qindarkë, por kush është përgjegjës për vuajtjen e tij ndëshkohet.