Ptolemeu në gjeografinë e tij e quan me emrin ‘Skupi’. Historiani romak Tit Livi këtij qyteti i dha emrin ‘Sintia’. Kur Justiniani u bë perandor e quajti me emrin ‘Justiniana Prima’ (Justiniana e parë) dhe ai e kishte origjinën nga Shkupi. Romakët e emëruan zyrtarisht “Colonia Flavia Scupinorum”, Flavia duke qenë emri i dinastisë së perandorit.
Osmanët kur e pushtuan e quajtën ‘Iskup’ (Üsküp) dhe e shndërruan në qytetin e parë me kulturë osmane në Rumeli. Sami Frashëri e përmend si ‘Ysqyp’ (Shqup).
Ai gjithashtu është kryeqyteti i Maqedonisë së sotme dhe qyteti më i rëndësishëm i Maqedonisë. Tashmë ai quhet Skopje. Të gjithë duan t’i vënë nga një emër të veçantë, ta rikostruktojnë, të bëjnë diçka në të, sikur me lavdinë e tij duan të ngrejnë mitin e tyre.
Ai ka kaluar shumë sundime, shumë rikonfigurime urbane, vendi i shumë qytetërimeve dhe i lindjes së perandorëve të famshëm. Lakmia e shumë sundimtarëve dhe vendi ku debati i sotëm mbi emrin e Maqedonisë vazhdon. Ai është mësuar me të qenët qendër e rëndësishme e shumë etnive dhe kombeve, feve dhe i konfliketeve, luftrave, hatërmbetjeve.
Në kohët e hershme e zotëronin Thrakët dhe Dardanët, më pas grekët, romakët, sllavët, turqit. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë shumicë dhe myslimanë, bullgarët ortodoksë dhe grekët haheshin në kalldremë duke u vrarë me njeri-tjetrin për ndonjë copë tokë, serbët jo më pak donin ta zotëronin dhe e bënë qendër të tyre.
Vend për jetesë të vllehëve, madje dhe çifutët e përdornin për tregëtinë e tyre. Ka kaluar tiparet kulturore të qytetërimit grek, romak, osman, sllav, oriental dhe oksidental, perëndimor në urbanizim dhe riurbanizim, ndonjëherë në tepri riurbanizuese. Është i rrahur me flori dhe dhunë.
Nga një anë pjesë e Bizantit në atë të sllavëve të mesjetës së hershme, nga ana tjetër pjesë e mbretërisë serbe në kasaphanën e luftrave ballkanike e botërore, vend ku dhe molla bëhet sherr për t’u kafshuar nga të parët që e dëshirojnë atë, si nga njëra anë në tjetrën, të gjithë e duan dhe shtriga e zgjat krahun për t’ua dhënë.
Atëherë kur analfabetizmi dhe skamja arrinte në 80% të popullsisë kishte hekurudhë që zhvillonte tregëtinë dhe lidhte atë me Turqinë e Serbinë.
Rruga ngre qytetërim, hekurudha e përsos atë. Amerika u ngrit e tërë nga hekurudha. Është përshkruar gjithmonë nga lumi Vardar e shembur nga tërmetet, ripopulluar nga turqit e sllavët, fortifikuar nga luftëtarët.
Vendi ku gatuhen pikëpamjet e mykura të nacionalizmit iluzionar të teorive të tejkaluara të racës. Vendi ku dominohet dhe loja e dy superfuqive si e SHBA dhe e Rusisë për të ekuilibruar Ballkanin e rrëmujshëm në mosdijen e tij dhe debilitetin përkundrejt zhvillimeve të rrëmujshme ndërkombëtare në diplomaci.
Destabilizoni Shkupin dhe do të shihni si do të nxjerrin krye Shqipëria, Kosova, Serbia, Bullgaria, Turqia, Greqia, Europa madje dhe superfuqi gjasme me plot gojën indiferente si Kina do zgjasë turirin për ndonjë debat.
Midis autoritarizmit me tipare autokratike në shumëkulturalizmin liberal dhe konsensual të demokracisë liberale ai mbijeton si kryeqytet ku gatuhen prapaskenat e hatërmbetjeve llasticë për emrin e Maqedonisë, kapistër e ndryshkur që do emër.
Në kurriz të të gjitha etnive të tjera të vendosur kanë qenë shqiptarët që dalëngadalë janë ulur në popullsi dhe kanë shtruar kurrizin, nga pjesa dërmuese ku pakicat ishin bullgare, greke e serbe, turq e romë, tashmë shqiptarët përbëjnë 30% të popullsisë dhe ku debate për gjuhën shqipe e i të drejtave sociale është akoma i ndjeshëm.
Dikur me popullsi 250 000 sot ka arritur dyfishin. Dikur pjesa dërmuese ishte shqiptare, shtojcat ishin slave e greke, sot sllavët kanë shumicën dhe shqiptarët 35%. Megjithatë thembra e Akilit janë shqiptarët që po tkurren dita-ditës në statistika. Pas viteve 2000 Shkupi krijon përsëri rikonfigurimin e tij të vazhdueshëm.
Duket sikur me riurbanizimin modernist me fasada statujash të lavdishme vazhdon saga e konflikteve të nëndheshme dhe të mbisipërme. Ai është mbushur me statuja, ndërtesa, hotele, ura, fasada të modelit urbanist dhe mospërfshirje të shqiptarëve. Dikur i ndarë në 7 kaza dhe 5 nahije, sot në 10 komuna.
Për aq kohë sa ai zbukurohet fsheh anën e errët të mitizimit të udhëheqësvve të tyre. Shumë mendojnë se lagjet e shqiptarëve janë geto të lagjeve të maqedonasve me origjinë sllave. Ka një kontraditë të identitetit të quajtur maqedonas tek shqitparët.
Në shumësinë e identiteteve që ka njeriu shqiptari në Maqedoni duhet ta quajë veten me plot gojën identitet maqedonas, nënshtetas i maqedonisë dhe më pas atë etnik shqiptar.
Politikat luftuese të shqiptarëve në shekuj e kanë kthyer atë në hendek midis identetitetit etnik të mbiquajtur identitetit kombëtar, ai përvec getoizimit të vetë politikave nacionaliste krijon dhe vetmbyllje në identitet luftues me atë që duhet të jetë.
Madje luftojnë njëri-tjetritn për pushtet. Maqedonia është me plot gojën edhe e shqiptarëve të Maqedonisë dhe ata duhet ta kenë për nder që jetojnë në një vend ku kanë lindur dhe kanë jetuar perandorë që kanë dhënë frymë gjithë botës.
Shkupi, në antikitet shërbeu si bazë ushtarake për të ruajtur paqen në perandori, në atë pjesë që quhej Iliric, kjo paqe nuk mund të bëhet sot pa rolin e shqiptarëve.
Shqiptarët duhet ta ringrejnë Shkupin institucional në identitetin e tyre multietnik maqedonas dhe etnik shqiptar.
Ata duhet ta kenë për nder që jetojnë në vendin e Perandorëve. Shqiptarët duhet të ndihen shkupianë, aty ku tërmetet politike gatuajnë riurbanizimin e radhës dhe priten të mbijnë statujat si kërpudhat.
Përgatiti Eugent Kllapi