MENU
klinika

Raporti i OKB

Shqipëria, në top listën e plakjes globale

01.09.2018 - 09:49

Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, në Raportin e Plakjes Globale 2017. Faktorët e keqkombinuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve bashkë me indiferentizmin për të përballur pasojat, do ta bëjnë të vështirë tranzicionin e popullatës.

Disa sektorë si bujqësia dhe fasoni kanë nisur të vuajnë mungesën e krahut të punës, ndërkohë që popullsia e vendit është futur në një proces të shpejtë plakje. Divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara e renditi Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me procesin më të shpejtë të plakjes së popullsisë gjatë periudhës 2000-2011. Numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është shtuar me 7.3% në këtë periudhë. Shqipëria renditet e teta në botë pas SHBA-së, Japonisë, Guadalupe, Maltës, Martinique, Koresë së Jugut dhe Curaçaos për plakjen e shpejtë në rang global në vitet në vijim.

Në vitin 2017, shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit ishin 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të gjithë totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Në vitin 2030, sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 26.6% të totalit të popullsisë sipas projeksioneve normale, pa goditje të forta të emigracionit.

Në disa vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria, popullsia po plaket me shpejtësi me ritme më të shpejta se sa kishte ndodhur në vendet e tjera të zhvilluara. Për shembull, në Francë, plakja e popullsisë kërkoi 115 vjet, në Suedi 85 vjet, Australi 73 vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës 45 vjet. Në këto vende, gjatë këtyre viteve, popullsia mbi 60 vjeç u rrit nga 7 në 14%.

Në vendet që sot janë në tranzicion, ky proces ka ndodhur në më pak se 23 vjet. Projeksionet tregojnë se për Brazilin dhe Kolumbinë, dyfishimi i numrit të të moshuarve do të kërkojë vetëm 22 vjet. Kjo qasje e re e popullsisë po prodhon një tranzicion të ri demografik për këto vende që do të duhet të përshtaten shumë shpejt me një strukturë të re popullsie.

Sot vendet në zhvillim do të duhet të përshtaten shumë shpejt me situatën në një kohë që ato kanë të ardhura për frymë shumë më të ulëta se sa vendet e zhvilluara kur u përballën me këto sfida.

Numri i shteteve me moshë të re popullsie ka rënë dukshëm me kalimin e kohës. Ndërsa në vitin 2017 numëroheshin 39 shtete që kishin rreth 5% të popullsisë mbi 60 vjeç, në vitin 2050, vetëm Nigeria do të ketë në popullsinë e saj persona mbi 60 vjeç vetëm 5% të totalit, shkruan “monitor”.

Lindjet e shumta më 1950, më shumë pleq më 2020

Vendet që kanë përjetuar një baby boom gjatë viteve 1950-1960 do të ketë ritme të forta të plakjes së popullsisë gjatë dekadës në vijim, në kushte kur numri i lindjeve ka rënë. Në Shqipëri, indeksi i fertilitetit ishte 6.8 lindje për grua në vitet 1960, ky raport ra në 2.1 lindje për grua në vitin 2001 dhe në 1.7 në vitin 2011. Indeksi sintetik i fekondimit (ISF) i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese, shënon, 1,48 fëmijë për vitin 2017.

Kjo do të thotë se në 100 femra, pritet të lindin 148 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grupmoshave janë ato të vitit referues, 2017. Sipas INSTAT, ky indeks është nën normën e zëvendësimit, 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20 – 24 vjeç dhe 25 – 29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë.

Për shkak të lindjeve të mëdha në vitet 1960, numri i personave të moshuar në Shqipëri do të rritet me shpejtësi në dekadën në vijim Në të kundërt, në Suedi, pjelloria totale ishte vetëm 2.2 lindje për grua në 1950-1955, dhe popullsia e vjetër aktualisht po rritet më ngadalë se sa në Shqipëri, me një normë mesatare vjetore prej 1.1% gjatë 2010-2015.

Për shkak se normat e fertilitetit në mesin e shekullit ishin të larta, mbi pesë lindje për grua në Shqipëri, normat e rritjes së popullsisë në moshë të vjetër do të jenë shumë më të larta se në Europë, ku pjelloria në vitet 1950-1955 tashmë kishte rënë nën tre lindje për grua shumë vende.