Shqipëria është vendi më i lirë në Evropë për të investuar. Sipas të dhënave krahasuese të Eurostat, investimi në Shqipëri kushton sa 55% e vlerës mesatare të vendeve të Bashkimit Europian.
Në llogaritjen e kostos së investimit, Eurostat përfshin llojet kryesore të investimeve, duke filluar nga ndërtimi, punimet inxhinierike, blerjen e makinerive dhe pajisjeve dhe deri te transporti, mjetet e prodhimit apo programet kompjuterike. Mbështetur në të gjithë këta tregues, ndërtohet një indeks për secilin vend ku si vlerë referencë apo 100, merret niveli mesatar i Bashkimit Europian. Nëse një vend e ka indeksin e kostos së investimit mbi 100, atëherë investimi aty kushton më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërkohë, sa më poshtë vlerës 100 të jetë ky indeks, aq më i lirë është një vend për të investuar.
Në këtë renditje, Shqipëria ka rezultuar më e lirë se vendet e tjera të rajonit. Vendi më i afërt, vetëm një pikë sipër Shqipërisë, është Maqedonia, ku indeksi i kostos së investimit është 56. Më lart qëndrojnë Turqia me 58, Bosnja me 59, Mali i Zi me 64 dhe Serbia me 66. Kosto e ulët e investimit mund të japë një avantazh relativ konkurrues ndaj vendeve të tjera, megjithatë, jo gjithmonë ky është faktori më i rëndësishëm në vendimmarrjen e një investitori.
Përgjithësisht, kostot më të ulëta të investimit janë tipike për vendet me rrezik më të lartë, që mund të lidhen me një stabilitet më të brishtë ekonomik, social apo politik; risku në vetvete kompenson në rritje koston e ulët fillestare të investimit. Jo rastësisht, sipas renditjes së Eurostat, kostot më të larta të investimit janë në vendet me standarde më të larta ekonomike dhe sociale. Kryeson Norvegjia, ku indeksi është 145, e ndjekur nga Zvicra, Islanda dhe Suedia.