MENU
klinika

Dossier/ Pjesa e dytë

Grupe identitare në Ballkan, vështirësi e bashkëjetesë

17.09.2018 - 12:25

-Ciganët

Ciganët(romët), të pranishëm në të gjitha vendet ballkanike, janë veçanërisht të shumtë në numër në Rumani, Bullgari, Serbi e Maqedoni. Numri i tyre është mjaft vështirë të përcaktohet, por me siguri i kapërcen të dy milionët në gjithë gadishullin.

Megjithatë ndërgjegjia e tyre shumë e fortë komunitare nuk është e tipit kombëtar dhe nuk afirmohet në fushën politike (madje edhe në jugosllavinë titiste, e cila me zemërmadhësi u ofroi mundësi shprehjeje: shkolla, media, teatër, etj.)

Minoritet etnik, pa dyshim (ndonëse martesat e përziera janë më të shpeshta sesa mendohet, por që mbahen në fshehtësi) (Jugosllavia tititste përpiqet ta promovojë dialektin e Shkupit si gjuhë letrare zyrtare), ato janë veçanërisht një minoritet social që jeton si i lënë pas dore, duke qenë në të njëjtën kohë i pranuar dhe i përjashtuar.

Të ngulur në vend masivisht qysh prej shekullit XIX, ato praktikojnë zanatet e tyre si kovaçë, kallajxhinj, shpotarë, muzikantë, zbavitës të njerëzve…Sa kohë që popullsitë e Ballkanit ishin kryesisht rurale, ato ishin shpërndarë nëpër mbarë territorin.

Krijimi i qytetetve të mëdhenj në shekullin e XX bëri që ciganët të mblidhen në periferitë e tyre të jashtme, ndonjëherë mjaft të shtrira. Zhdukja e zanateve të vjetra dhe proletarizimi i ciganëve e prishën paraqitjen e tyre tradicionale dhe zgjuan ndaj tyre reagime përjashtuese mjaft të forta e të dhunshme.

Të gjithë regjimet komuniste kanë bërë përpjekje të mëdha për integrimin e ciganëve në jetën e vendit, por që nga më liberali i tyre (Jugosllavia) e deri te më represivi (Shqipëria), kanë dështuar përpara rezistencës pasive, të pakapshme dhe neglizhence të një popullsie që nuk i intereson loja sociale.

Vëmë në dukje, megjithatë, se disa individë kanë përfituar nga mundësitë që u kanë dalë përpara për të formuar një elitë të vogël mjekësh apo arsimtarësh, rezultatet që liberalizmi perandimor nuk e ka arritur.

-Çifutët (Hebrejtë)

Çifutët përbëjnë një tjetër minoritet ‘’të pluhurzuar’’kudo. Në Jug të Danubit e të Savës komunitetet ishin sefaride, të gjuhës judeo-spanjole, kryesisht qytetarë e mjaft të integruar, me gjithë manifestimet sporadike anti-çifute.

Në Rumani, nga ana tjetër, çifutët ashkenazë, folës të judaishtes, përbëjnë një minoritet të madh(730 000 në vitin 1938) që është objekti i një antisemitizmi mjaft të ideologjizuar. Lufta e Dytë Botërore i shfaros çifutët e Ballkanit: ato të Greqisë dhe të Jugosllavisë dërgohen në kampet e përqëndrimit, ato të Rumanisë bëhen viktima të programeve dhe shpërnguljeve në brendësi të vendit, ku më se një e tretat zhduken, vetëm

çifutët e Bullgarisë arrijnë të shpëtojnë të gjallë. Emigracioni drejt Izraelit apo botës perëndimore i atyre që mbijetuan është masiv (në Rumani ai shtrihet gjatë disa dekadave).

Në vitet 1980 komunitetet e mbetura në secilin vend nuk numërojnë më shumë se disa mijëra anëtarë; mjaft mirë të integruar, ato shërbejnë shpesh edhe si ‘’minoritet vitrinë’’ për regjime që nuk paraqesin modelet e tolerancës kombëtare.

-Grupe të tjera

Në kundërshtim me një ide të përhapur gjerësisht, nuk është Maqedonia ajo që përbën mozaikun nacional më të ndërlikuar, por është Vojvodina. Rajon fushor dhe me mjaft lumenj në Veri të Jugosllavisë, Vojvodina është zona e takimit ndërmjet serbëve dhe rumunëve.

 E shkatërruar nga luftrat austro-turke të shekullit të XVII dhe fillimit të XVIII, ajo bëhet objekt i politikës së vendosjes së kolonëve nga ana e perandorisë së Habsburgëve: kolonët gjermanë (të mbiquajtur suabe), çekë, sllovakë, ukrainas, rutenë (ukrainasit uniatë).

Grupet e Bunjevci-t dhe të Sokci-t flasin një dialekt që tregon për një origjinë gjeografike serbe, por renditja e tyre në krah të Kishës Katolike ndikon që ndërgjegja e tyre nacionale të jetë kroate. Dëbimi i Volksdeutsche më 1945 liroi toka pjellore që regjimi komunist ua shpërndau atyre që kishin luftuar me të, kryesisht malazezve dhe serbëve të Bosnjës, por gjithashtu edhe disa maqedonasve, sllovenëve e të tjerë.

Më 1981, në 2 milionë banorë 54.4% ishin deklaruar serbë, 18.9 % hungarezë, 1% rutenë, 1% ciganë, 0.9% maqedonas, etj. nuk duhen haruar 8.2% të deklaruar jugosllavë, tregues të integrimit të vazhdueshëm dhe bashkëjetesës së harmonishme të këtyre grupeve të ndryshme nacionale.

Mirëqenia ekonomike e provincës autonome, respektimi i saj i përpiktë i veçantisë dhe një lloj dëshire për të jetuar sipas reminishencave habsburge, e bëjnë një oaz të mirëkuptimit intelektual, deri sa nacionalizmi serb i ardhur nga Jugu (serbët e Vojvodinës e quajnë veten Srbi, por i cilësojnë si Srbijanci bashkëkombasit e tyre në jug të Savës dhe Danubit, duke i shikuar si nga lart) do ta tronditë këtë ekuilibër duke filluar prej vitit 1988.

Rumania ka një minoritet të vogël sllav në territorin e saj, serbë në Banat, bullgarë në rrethinat e Bukureshtit (që në mënyrë paradoksale quhen Sirb) dhe ukrainas në Bukovinë. Ndërsa mjaft më i madh në numër dhe, mbi të gjitha, problematik në planin nacional, ishte minoriteti gjerman.

Anëtarët e tij, të quajtur saksonë në Transilvani, ku janë të pranishëm që prej shekullit XIII dhe praktikantë të luterizmit, ato njihen si suabe në Banat, janë katolikë dhe vendosur atje që prej shekullit të XVIII. Në të dy rastet, ato përbëjnë një minoritet i cili, që nga kohët e lashta, ishte në pozita zotëruese dhe konsiderohet edhe në ditët tona si i pajisur me nivel të lartë kulturor.

Në fund të luftës së Dytë Botërore gjermanët e Rumanisë nuk dëbohen masivisht, si ndodh në Poloni, Çekosllovaki dhe Jugosllavi. Megjithatë numri i tyre ulet: 384 000 më 1956, 395 000 më 1977 (rreth 1.7% e popullsisë së vendit). Gjatë viteve 1970 regjimi i Çausheskut kryen një trafik të mirëfilltë, duke kërkuar që RFGJ-ja të paguajë rreth 10 000 DM për çdo të larguar lidhur me shpenzimet e kryera për arsimimin e tij.

Mbas ndërrimit të regjimit më 1989, largimet drejt Gjermanisë shtohen: gjermanët nuk figurojnë më tepër se 119 000 në regjistirmin e vitit 1992. Fenomeni nuk duket se është ndërprerë dhe mund të merret me mend, nëse ky grup nacional nuk zhduket fare, se të paktën do të kalojë në plan të dytë në një të ardhme të afërt.

Përcaktimi nacional i maqedonasve përbën një problem të ndërlikuar të minoritetit për vendet fqinjë dhe nacionalizmi i ri maqedonas i ka fryrë shpesh herë burive të irredentizmit. Ai në fakt bëhet mbrojtës i një minoriteti maqedonas në pjesën e Maqedonisë që i është shtuar Bullgarisë më 1913 (Maqedonia e Pirinit apo Departamenti i Blagojev grandit).

Ekzistenca e këtij minoriteti u njoh në vitin 1946 nga autoritetet e Sofies, që në atë kohë ishin angazhuar në një proces afrimi me Jugosllavinë. Ai figuron ende në regjistrimin e vitit 1956 (188 000 persona), për t’u zhdukur së shpejti nga statistikat.

Diferencat objektive ndërmjet bullgarëve dhe maqedonasve janë të pakta, por kritere më subjektive (të shkruara sidomos në historitë familjare të secilit) vlerësohen të jenë shumë.

Vlerësimi ynë personal është se veçanësia e maqedonasve të Bullgarisë flet më shumë për rajonalizëm sesa për nacionalizëm. Departamenti i Blagojevgardit përfitoi investime të mëdha gjatë viteve ’70 dhe atyre ’80 dhe aktualisht është integruar ngushtë në indin e ekonomisë bullgare.

Gjendja e maqedonasve, meqë zakoni grek është që termit maqedonas t’i japë vetëm vlerë rajonale dhe jo etnike) është ndryshe. Sllavofonët e Veriut të Greqisë, të shumtë në vitin 1912, e humbën rëndësinë relative nga vërshimi i refugjatëve grekë nga Azia e Vogël në vitet 1923-1924; grekët paraqesin 42.6% të populsisë së Maqedonisë së Egjeut më 1912, 88.85 më 1926.

Pjesëmarrja e sllavëve të Greqisë gjatë luftës civile në radhët e komunsitëve detyroi një numër të madh syresh që, mbas disfatës, të marrin rrugët e mërgimit. Një pjesë u strehua në Maqedoninë e Vardarit, ku formoi një lob irredentist.

Është e vërtetë se politika e Greqisë, me regjimet e ndryshëm që nga viti 1949 e deri në ditët tona, e ka mohuar sistematikisht ekzistencën e këtij minoriteti, të cilit asnjëherë nuk i është njohur ndonjë e drejtë gjuhësore apo kulturore.

E vendosur kryesisht në fshatrat e zonave të Kastorias dhe Follorinës, ajo përbëhet nga 80 000 deri 100 000 persona. Ka disa fshatra maqedonas në Shqipëri, popullsia e të cilëve emigroi në Maqedoni në vitin 1991. (Njoftohet se ka një grup të vogël sllavofon në Veri të Shqipërisë, folës të serbo-kroatishtes, që konsiderohen si malazesë, serbë apo myslimanë)

Minoritetet myslimane paraqesin probleme të ndryshme. Duhen përmendur shqiptarët e Maqedonisë(19.85 e popullsisë së republikës 1981) që i paraqesin autoritetit të Shkupit problem të ngjashme, por më pak të mprehta, sesa atyre të Beogradit. Rajonet e Tetovës, Gostivarit dhe Debarit janë me shumicë të theksuar shqiptare.

Fakti që qyteti i Shkupit ka një komunitet të madh shqiptar (17.1% më 1981) është padyshim një burim konfliktesh, por i detyron gjithashtu të dy komunitetet që në mënyrë reciproke të jenë të ndërgjegjshëm për këtë fakt.

Shqiptarët e Maqedonisë janë më pak të mbyllur në specifikën e tyre sesa bashkëkombasit e tyre të Kosovës, që një sistem shkollor vetëm në gjuhën shqipe i ka bërë të huaj për gjithë pjesën tjetër të Jugosllavisë.

Problemet e moszhvillimit rural dhe demografisë së ndryshueshme dalin si në Maqedoni ashtu edhe në Serbi. Komuniteti turk (4.5% më 1981) është më mirë i integruar, elita e tij sociale dhe intelektuale ka bashkëpunuar që herët me regjimin komunist dhe ka ditur t’i ruajë interesat e veta. Emigracioni drejt Turqisë megjithatë vazhdon të mbesë një tundim; disa rajone (si ai i Ovçe Poles) patën largime të mëdha në vitet ’50.

Myslimanët folës të serbo-kroatishtes janë formuar si komunitet nacional vonë, me emrin Myslimanë. Bashkëbesimtarët e tyre të gjuhës maqedonase apo bullgare nuk kanë ndjekur të njëjtin zhvillim.

Të njohur me emrin Torbeshë në Maqedoni, me atë Pomakë në Bullgari e Greqi, ato përbëjnë popullsi rurale të shpërndara nëpër zona malore të izoluara. Këto minoritete të pavendosur janë në fazën e ndërmjetme mes logjikës osmane të milleteve të bazuar te feja, dhe të logjikës kombëtare të bazuar te gjuha.

Po të privilegjojnë të parën, ato bëjnë front të përbashkët me bashkëbesimtarët e tyre që janë shqiptarë për një palë dhe turq për një palë tjetër, minoritete më të shumtë dhe më mirë të organziuar, por jo pa një prapamendimit nacionalist; ndërsa po të privilegjojnë komunitetin e gjuhës, ata janë të detyruar të bashkohen me një ideologji nacionale të bazuar në shkëputjen e dhunshme nga Perandoria Osmane, gjë që nuk do të ishin në gjendje ta pranonin.

Pomakët e Bullgarisë i janë nënshtruar disa herë politikës së asimilimit: pagëzimit me forcë në 1912-1913, në vazhdën e pushtimit bullgar; presioneve të grupeve ultra-nacionaliste fashiste në fund të viteve ’30; fushatës së ndërrimit të emrave arabo-myslimanë në fillim të viteve ’70.

Duke ndaluar veçanërisht te një grup që ka preferuar gjithmonë të ketë fenë e vet (ortodoksinë) në dëm të afirmimit të tij gjuhësor, që është grupi i Vllahëve. Me këtë emër të përgjithshëm (që duhet ndarë nga nocioni gjeografik i Vlahisë), ne rigrupojmë raste të shumta në planin dialektologjik.

Grupi më i madh është ai i arumenëve (arumunët, kuçovllehët apo sarakaçanët) që popullojnë masivin e Pindit, në Veri të Greqisë (Mestovo, Saramina), por është gjithashtu i shpërndarë edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Vardarit dhe Bullgari.

Megleno-rumunët formojnë një grup të vogël të veçantë në kufirin greko-maqedonas dhe istro-rumunët, një grup i izoluar periferik në Istrian kroate. Më në fund vllehët e Timokut dhe të Homoljes të Serbisë Lindore, shumë të afërt me rumunët e Rumanisë, megjithatë nuk janë regjistruar si të tillë në statistikat jugosllave(në ndryshim nga rumunët e Vojvodinës).

Të gjithë këto grupe kanë një qëndrim konsensual lidhur me shtetin nacional qytetarë të të cilit janë, por nuk reshtin së praktikuari gjuhën e tyre të nënës në rrethin familjar dhe komunitar dhe së riprodhuari duke u martuar vetëm brenda tyre.

Më së fundi duhen sqaruar disa identitete nacionale ‘’subjektive’’ në gjirin e sllavëve të jugut. Ne e kemi vënë në dukje tashmë vështirësinë që ekziston për të përcaktuar një identitet maqedonas në Bullgari (dhe të kundërtën, bullgar në Maqedoni).

Për të thënë se ku qëndron ndryshimi ndërmjet serbëve dhe malazezëve (579 000 në vitin 1981) është akoma dhe më e vështirë, meqënëse ndërmjet tyre nuk ka asnjë dallim gjuhësor apo fetar. Veçanësia kombëtare malazeze është kryesisht me natyrë historike dhe sentimentale: kujtimi i luftrave kundër Perandorisë Osmane në kushte heroike; ai i pavarësisë shtetërore(e njohur nga komuniteti ndërkombëtar nga 1878 deri më 1918), dashuria ndaj një toke të thatë, njohja e disa vlerave të caktuara si nderi, trimëria, etj.

Megjithatë realitetet e ashpra ekonomike bëjnë që malazezi që ka mbetur në vend të ketë një vëlla të regjistruar si serb, që banon në Beograd, ashtu si mjaft maqedonas kanë kushërinj që thonë se ndihen bullgarë.

Më së fundmi, ideja jugosllave, që është e përcjellë si pishtar qysh nga shekulli XIX, është futur në ndërgjegje gjatë ’70 të viteve të jetës së përbashkët (1918-1991). Numri i atyre që janë deklaruar jugosllavë ndryshon shumë sipas regjistrimeve: 317 000 në vitin 1961 nga të cilat 87% në Boasnjë-Hercegovinë, gjë që tregon se janë myslimanët ata që shënojnë në këtë mënyrë një veçanësi të panjohur akoma), 273 000 më 1971, 1 219 000 më 1981, rreth 5.4% e popullsisë së përgjithshme.

 Këto jugosllavë të deklaruar mund t’u takojnë rasteve mjaft të ndryshëm: jugosllavizëm apo komunizëm nga bindja apo oportunizmi, përkatësia në një grup jo të vlerësuar (për shembull ciganët), është rezultat i martesave të ‘’përziera’’, të shpeshta në disa zona e, regjistruar si të tillë banojnë në Bosnjë-Hercegovinë, 31.1% në  Kroaci, 22.3% në Serbi (pa provincat autonome), 13.7% në Vojvodinë.

Qytetet në vijën bregdetare malazeze kishin raportet më të mëdha të të deklaruarve jugosllavë (deri më 33% në Herceg Novi), 11.1% në Beograd, 12.8% në Novi Sad. Qytetet që i përfshiu më me tërbim pasioni nacionalist figurojnë gjithashtu ndërmjet atyre ku raporti i ‘’jugosllavëve’’ e kapërcyen më 1981 mesataren nacionale: Vukovar: 21.2%, Osjek 17.9%, Sarajeva: 15.95, Tuzla 15.7%, Moskar” 15%…

(Marrë nga libri ‘’Europa ballkanike nga 1945 në ditët tona’’)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!