Kuvendi i Shqipërisë do të rinisë punimet e tij këtë të hënë, pas 4-javësh me pushime.
Përballja politike midis dy koalicioneve, atyre të majta dhe të djathta do të fillojë në Sesionin e III-të të Legjislaturës së XI-të.
Seanca e parë plenare do të jetë një takim i cili do të përcaktojë kalendarin e punës si dhe projektligjet.
Në Parlament do të rikthehet çështja për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, dekreti i të cilit u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, pas kundërshtimit nga ana e opozitës.
Vetingu është një tjetër çështje që do të përfshijë palët në diskutime për shkak të vendeve të paplotësuara në sistemin e drejtësisë. Ky ligj për gjyqtarët e rinj, duhet të miratohet me 84 vota të deputetëve, por maxhoranca nuk mund t’i plotësojë e vetme, pa mbështetjen e deputetëve të palës kundërshtare.
Në agjendën e të hënës pritet të diskutohet edhe për reformën zgjedhore.
Nga njëra anë opozita kërkon zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik ndërsa maxhoranca vë theksin në përfshirjen e emigrantëve në votime, ndërkohë që për të mbyllur me sukses këtë reformë duhet bashkëpunim i të dy kaheve politike.