MENU
klinika

Diskutimi për kufijtë

Takimi Thaçi-Kitaroviç/ Çfarë po fsheh Presidenca?

25.09.2018 - 12:41

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar në New York me presidenten kroate gjatë sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, megjithatë në njoftimin e Presidencës për këtë takim, nuk përmendet fare deklarata e Kitaroviçit dhe porosia e saj që të mos ketë prekje të kufijve në rajon.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ideja për korrigjimin e kufijve ishin temë diskutimi në takimin mes Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas mediave kroate, Kitaroviç në këtë takim ia kishte kujtuar Thaçit “parimin e Komisionit të Badinterit që kufijtë në territorin e ish-Jugosllavisë duhet të mbesin të gdhendur në gurë”, por ky detaj nuk është bërë i njohur për publikun nga Presidenca e Kosovës.

Ishte interesante të flisja me presidentin e Kosovës, Thaçin, për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për temën që po dëgjohet së fundmi rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve. Këtu, ne jemi shumë të kujdesshëm dhe i kam treguar argumentet dhe qëndrimet tona si dhe faktin e parimit të Komisionit të Badinterit që kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të mbeten të gdhendura në gurë”, ka thënë presidentja Grabar-Kitaroviç.

Sipas njoftimit të Presidencës, Thaçi dhe Grabar-Kitaroviç kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, si dhe si një ndër aktorët kryesorë rajonalë është partnere e Kosovës në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon dhe kemi një partneritet tradicional”, ka thënë Thaçi.

Kundër kësaj ideje të prekjes së kufijve, përveç Kroacisë, kanë dalë edhe Gjermania e Britania e Madhe, ndërkohë edhe i gjithë faktori politik në Kosovë nuk e mbështet Thaçin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN