MENU
klinika

Arkitektura e Gjirokastrës

Të pathënat e ndikimit italian në qendrën historike

10.09.2018 - 14:27

Gjirokastra ështe “ndriçuar” ndër vite nga studiuesit shqiptarë por edhe të huaj, veçanërisht për ndërtimet e periudhës otomane, vlerat e të cilave ruhen edhe sot të cilat janë përfshirë edhe në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s. Por Qendra Historike e Gjirokastrës nuk i takon periudhës otomane. E ngritur gjatë viteve ‘20-‘40 të shekullit të kaluar, për godinat e kësaj periudhe dihet shumë pak sepse interesimet e studiuesve gjatë regjimit komunist janë shoqëruar me pak të dhëna dhe me interesime modeste të studiuesve, pasi dihej se gjatë regjimit komunist si nuk mund të flitej lirisht për ndikimin italian në stilin arkitekturor dhe ca më pak për ato objekte të ndërtuara gjatë periudhës së monarkisë. Mbetet, t’i rikthemi më shumë kronikave të kohës apo kujtimeve të atyre që i jetuan këto vite për t’i hedhur një vështrim ndertimeve të kësaj periudhe.

Lulëzimi i tregëtisë gjatë viteve ‘20-’40 me Italinë dhe Greqinë shpërfaqet me një stil të ri ndërtimesh në Gjirokastër. Gjatë kësaj periudhe Porti i Sarandës kthehet në portin e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri me volume të mëdha të shkëmbimeve tregtare. Këte port do ta frekuentonin tregëtaret e shumtë gjirokastritë që lëviznin në itenerarin Sarandë-Brindizi-Bari per të vazhduar pastaj në të gjithë Italinë. Një tjetër pikë kyçe e tregtisë asokohe ishte dhe funksionimi i aeroportit me linja të brendshme dhe ato me avionë çarter drejt Italisë.

Duke shfrytëzuar pozicionin e Gjirokastrës në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme, me një traditë të trashëguar, gjirokastritët do të arrinin të krijonin një shtresë të re të kamurish në qytete që do të përcaktonte edhe nevojën për investime përfshi fushën e ndërtimit dhe shërbimeve. Ishte koha kur marrëdhëniet e reja ekonomike që po krijoheshin po linin pas ato feudale të krijuara gjatë sundimit otoman dhe po orientoheshin me të shpejtë nga Perëndimi. Së bashku me marrëdhëniet e reja ekonomike edhe rrymat e reja kulturore nisën të pasuroheshin dhe t’i sillnin Gjirokastrës një frymë të re emancipimi të mendimit.

“Nëse do tu referoheshim të dhënave për disa objekte që u ndërtuan gjatë kësaj periudhe, pra gjatë dy dekadave, ato u përkasin kryesisht këtyre tregtarëve dhe kësaj shtrese që po krijohej. Madje shumë pronarë të këtyre banesave ose vilave janë persona që kishin aktivitet tregtie me Italinë. Ndër këto ndërtime, përgjatë gati njëzet viteve, spikasin banesa dhe vila, por edhe hotele në zonën e pazarit karakteristik, si dhe komplekse tregtare. Zhvillimi ekonomik që pati qyteti sigurisht që u shoqërua edhe me hapjen e institucioneve bankare te cilat u ndërtuan në zemër të zonës muzeale godina të cilat edhe sot janë funksionale”- thotë Teodor Bilushi konsull nderi i Italisë në Gjirokastër dhe njëherazi pedagog pranë universitetit “Eqerem Çabej”.

Disa nga ndërtimet dhe referimet përkatëse kohore për vitin e ndërtimit dhe për autorët e projektit flet tabela më poshtë:

BANESA ~VILA

· Emin Kokalari – Vile e ndertuar ne Palorto ne periudhen ’31 –‘33 – Ark.Giovani Buseli.
· Papavangjeli – Vile e ndertuar ne lagjen Varosh ne vitin ‘37.
· Aleks Ceci – Banese tre kateshe ne lagjen Varosh (ish radio)
· Teli Mihali – Banese dhe tregetore lagje Varosh 1937(tregetar)
· Koco Kekezi – Banese katerkateshe Lagje Varosh (tregetar)
· Niko Tola – Banese dykateshe Lagje Varosh (tregetar)
· Taho Alite – Banese Lagje Hazmurat (tregetar)
· Niko Mico – Banese Lagje Varosh (tregetar)
· Niko Tolica – Banese Lagje Varosh (tregetar)
· Lame Kareco – Banese Lagje Varosh (ish minister i financave )
· Cene – Banese Pazar
· Fidhi – Banese tre kateshe Lagje Varosh
· Gligor Floko – Banese tre kateshe Lagje Varosh.

Karakteristikat e këtyre banesave

Në pamjen e jashtme spikasin ballkonet, verandat grilat në dritare, kangjellat me hekur të punuar në ballkone, veranda dhe oborre, dyert e hekurta etj. Nga ana strukturore vihet re përdorimi i kollonave dhe trareve prej betoni, çeliku si dhe ndarja e kateve me soletat me beton si dhe tulla te vendosura gjysem hark ne shina celiku. Në ambientet e brendshme vërehet përdorimi i pllakave, mermerit në shkallë si dhe pllakave dekorative.

Çatite me tjegulla përbejne një tjetër element karakteristike në pjesën më të madhe të ndërtimeve të kësaj periudhe. Nëndertimet e kësaj periudhe vëmë re gjithashtu përdorimin e teknologjive të reja të ndërtimit të cilat sjellin tipologji të reja arkitekturore në Gjirokastër.
Ballafaqimi me teknologjitë dhe teknikate reja të ndërtimit është një çështje që edhe sot meriton vëmendje të posaçme dhe ngjall mjaft diskutime të cilat u takojnë studiuesve.

Ndërtimi i hoteleve dhe “modernizmi” i Pazarit

Gjatë këtyre dekadave nis dhe ndërtimi i hoteleve në qytet ne stilin arkitektonik italian. Ndër këto hotele përmendim Hotel “Royal “ ose Hotel “Reale” ( hotel “Sopoti” i sotëm ) si dhe Hotel “Savoia” (Kashau i sotëm). Hotel “Royal”, pronë e familjes Hajderaj, është ndërtuar në disa faza dhe i janë dashur disa vite derisa të përfundojë në pamjen që kemi edhe sot e kësaj dite.

Ky objekt përfaqësonte hotelin më luksoz për kohën në qendrën historike të Gjirokastrës. Niveli i ketij hoteli sipas të dhënave historike duket edhe tek personat që kane fjetur në të, si ish – Mbreti i Italisë Viktor Emanueli i III, motrat e Mbretit Zog, tregëtare, ushtarak të lartë italiaë, gjermane etj. Akoma sot kemi te ruajtura te ky objekt elementët karakteristike të arkitekturës italiane te stilit “Umbertino”, si ballkonet, kangjellat, elementet dekorativ te kornizat e dritareve, këndet e punuara etj.

Ndarja e kateve tek këto dy objekte hoteliere eshte realizuar me elementë të rinj të panjohura me pare më atë kohë, ato janë të përgatitura me shina hekuri ku mbështeten tullat që formojnë gjysmë harqe të vegjel, Keta elementë të rinj rritën cilesinë strukurore por edhe komoditetin e ambjenteve. Emrat e dy hoteleve “Royal” ose “Reale” dhe “Savoia” ne Gjirokaster i ndeshim edhe te Guida turistike italiane e 1940 “Albania” botim i TCI – Turing Club Italia.

Objekte Tregetare

Zhvillimet e vrullshme të këmbimeve tregëtare do të sillnin në Gjirokastër edhe nevojën për investime në qendra tregëtare apo njësi tregëtare. Një nga më të spikaturit dhe që sot është lënë në një gjendje të mjerueshme është Kompleksi Tregetar i “ Zigait” ne Pazar , pronë e Aristidh Zigai. Ky objekt i ngritur në 1937, përfaqson nga ana arkitekturore dhe funksionale prezanton element krejtesisht te rinj per qytetin.

Në pjesën e poshtme ne ambjentet që kanë shërbyer si magazina ndeshim përdorimin si element sigurie të tarrabave metalike. Nuk është e lehtë të dallosh një modernitet ndërtimor që ndonëse nuk u ngjason ndërtimeve të periudhës ottomane, sot perfaqeson një vlerë që duhet të përtërihet dhe të marrë vlerë funksionale. Një ndërtim tjetër i po kësaj periudhe ishte Tregtorja njëherësh dhe banesa e tregetarit Themeli Lito te Sheshi i Cercizit që si shumë ndërtesa të tjetra të braktisura nuk i kanë rezistuar kohës. Bilushi thotë mjaft ndërtime të tjera me rëndësi janë kryer në atë kohë ku shumë prej tyre sherbejnë sot si ambjente për zyrat e institucioneve shtetërore.

Liceu i Gjirokastrës përfaqëson objektin kryesor arsimor në qendrën historike. Objekti perfundon së ndërtuari në vitin 1942 në pamjen që e ka edhe sot. Godina e re u ngrit mbi objektin e ish-Liceut francez të vitit 1928 i shkateruar nga lufta. Por jo vetëm kaq, ndërtime të shumta janë kryer edhe për spitalin, nënstacionin e vjetër elektrik,shumë kabina funksionale edhe sot, kishës katolike,rrugëve automobilistike por edhe mjaft ura lidhëse si ajo e Dragotit dhe Leklit por edhe ish ura e vjetër e lumit në Gjirokastër. e cila është rrënuar me kalimin e viteve.

Rikthimi i vëmendjes së arkitektëve italianë

Pas viteve 90 në Gjirokastër u dërdhën të gjithë turistët e huaj të atyre vendeve që nuk ishin fort miqësore me politikat e regjimit diktatorial. Duke e imagjinuar Gjirokastrën përmes librave të shkrimtarit të madh, Kadare interesi i tyre ishte i zgjuar veçanërisht për asanmblin e banesave që njihej si “kulla qytetare”. Që në fillim të dekadës ‘90 nis interesimi edhe i arkitektëve specialisteve italianë për qendrën historike. Në vitin 1999 firmoset marrëveshja e binjakëzimit mes Gjirokastrës dhe bashkisë së Grottammares, marrevëshje që i hapi rrugën shume projekteve: një ndër to sishte realizimi Hartografise Dixhitale(2002) të territorit te Gjirokastrës, Bashkëpunimi me Rajonin e Markeve, Provinën e Ascoli Piceno dhe Bashkine Grottamare do të kthehej në një proces të pakthyeshëm dhe një vit më parë një Projekt i përbashkët për “Rrezikun Transizmik” në Gjirokastër do të niste udhën. Konsulli italian, Teodor Bulushi shprehet besimplotë se urat e ngritura të bashkëpunimit do të vazhdojmë pasi aktualisht Gjirokastra ndodhet në një proces delikat, atë të ripërtëritjes dhe rijetëzimit të zonës historike në funksion të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të turizmit.

Përgatiti: E.B.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fluturimi 1929: Gjirokastër-Tiranë

A do rijetëzohet aeroporti i parë shqiptar?