MENU

Gjermanët kundër pushtetit të Erdogan

“Terrorist, fashist, diktator”, Erdogan pritet me protesta

29.09.2018 - 09:28

Në disa demonstrata në Berlin u protestua kundër vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në Gjermani. Një protestues e quan vizitën e Erdoganit në Berlin “turp për Gjermaninë”.

“Erdogani është terrorist, Erdogani është fashist, Erdogani është diktator”, ngre zërin Hakan Tas nga sheshi i Potsdamit në Berlin. Turku i lindur në Gjermani në vitin 1980 dhe që është deputet i partisë e Majta në landin e Berlinit është një nga referuesit në protestën “Erdogan Not Welcome”- që u zhvillua në Berlin të premten. Organizatat turke, kurde dhe gjermane kishin bërë thirrje për të protestuar kundër vizitës. „Ky njeri nuk duhet të kalojë në qilimin e kuq, ai duhet të jetë në Hagë”, thërret Hakan Tasi.

Ndal terrorit shtetëror

Rreth 1000 vetë dolën në protestë kundër Erdoganit. Organizuesit kishin paralajmëruar në polici rreth 10.000 protestues, prandaj edhe prezenca e forcave të sigurisë ishte shumë e madhe. Policia ndërkohë bëri fjalë për rreth 6000 demonstrues. Në pllakatet që mbanin protestuesit në Berlin lexohej „Ndal terrorit shtetëror.” Në një tjetër Erdogani paraqitej si Hitleri.

Një protestues e quan vizitën e Erdoganit në Berlin „turp për Gjermaninë”. „Ajo nuk është vetëm një vizitë pompoze dhe një vlerësim i panevojshëm i regjimit të Erdoganit, por edhe një shuplakë për të gjithë aktivistët demokratë në Turqi që janë burgosur, shtypur apo torturuar”, thotë një nga aktivistët që mbajnë fjalime. Demonstruesit rreth mbrëmjes lëvizën nëpër qytet deri pranë kështjellës Bellevue, ku ishte shtruar një banket për presidentin turk nga presidenti gjerman.

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, vetëm në Berlin Kreuzberg një grup demonstruesish, rreth 150 vetë hodhën shishe dhe gurë ndaj policëve. Dy policë u lënduan lehtë, disa automjete dhe dritaret e një banke u dëmtuan. Tetë demonstrues u ndaluan nga policia, dhe u konfiskuan disa fishekzjarre dhe flamuj të Partisë Punëtore të ndaluar kurde, PKK.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arrestimi që tensionoi marrëdhëniet

Erdogan ‘shuplakë’ Trumpit:Jemi të pavarur!