Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një takim që pati sot me kreun e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçin, u shpreh për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se “nëse ai do luftë, lw t’ia nis sa më parë, por jo në studio televizive”.
Presidenti Thaçi foli kështu, pasi ditën e djeshme kryeministri Ramush Haradinaj në emisionin “Opinion”, u shpreh se shkëmbimi ose ndarja e Kosovës çon në luftë.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka thënë se kufijtë janë bërë me luftë, Thaçi tha se cilido mund t’ia nisë luftën dhe se nuk e ka ndërmend t’i pengojë.
“Ata që po flasin për luftëra, unë nuk jam t’u i pengu, kush të ka qejf le t’ia nis ku të donë, ka 430 kilometra janë kufiri me Serbinë udha e hajrit ju qoftë le të shkojnë, lufta nuk zhvillohet në studio televizive por në terren”, u shpreh presidenti Thaçi.
Thaçi gjithashtu, shtoi se kërkesën për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës në Kosovë e ka bërë vetë lidershipi politik i Luginës.
Gjatë takimit me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi, presidenti i Kosovës thotë se po punon për të institucionalizuar këtë kërkesë, ndërkohë ka cekur se nuk do ta lejojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive, as që të formohet Republika Srpska në Kosovë dhe se Liqeni i Ujmanit (Gazivodës) e Trepça do të mbesin pjesë e Kosovës.
Presidenti Thaçi mbështeti referendumin që do të mbahet në 30 shtator, si dhe i bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë, që të marrin pjesë masivisht në referendum.