MENU
klinika

Droga në Xibrakë

U dënua për trafik droge, lirohet nga burgu Ermal Hoxha

17.09.2018 - 22:04

Lirohet Ermal Hoxha. Nipi i ish-diktatorit i dënuar për trafik droge pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë ka dalë në liri me kusht.

Hoxhës i kishte mbetur dhe 1 vit 6 muaj burg pa vuajtur por ka fituar lirinë me kusht. Burimet bëjnë me dije se nipi i ish-diktatorit ka lënë qelitë e burgut të Fierit më 13 shtator.

Ermal Hoxha u arrestua gjatë operacionit në Xibrakë dhe u dënua me 6 vite e 8 muaj burg për trafik narkotikësh mbetur në tentativë.

Në Xibrakë u zbulua një laborator i sofistikuar përpunimi kokaine më 14 janar të 2015 e lajmi bëri bujë në atë kohë. Ky ishte një prej operacioneve më të rëndësishme të zhvilluara nga policia në vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga hetimi, i arrestuari Ilir Hyseni ishte personazhi kryesor që mbulonte sigurimin e drogës jashtë vendit dhe sjelljen e saj në Shqipëri.

Në vijim ishte po ai që survejonte kalimin e saj në vende të Europës, kryesisht në Gjermani. Sipas hetimeve, Ermal Hoxha, ka pasur rolin e financuesit dhe të financierit. Ai ishte personi që mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe që merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit.

Nipi i Enver Hoxhës u arrestua pasi më parë ishte filmuar nga agjentët e policisë në laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit.

Ermal Hoxha bashkë me tetë të pandehurit e dosjes, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total.

Në nëntor 2017, Apeli i Krimeve uli ndjeshëm dënimet e dhëna ndaj tyre, pasi pranoi zbatimin e gjykimit të shkurtuar, duke i ulur çdo të pandehuri një të tretën e masës së dënimit.

Në prill të këtij viti nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, kërkoi të shpallej i pafajshëm, duke i bërë rekurs vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Lartë.