MENU
klinika

Ngërçi në drejtësi

Vettingu, KPK shkarkon nga detyra prokurorin Bujar Hoti

10.09.2018 - 10:25

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Apelit në Durrës, Bujar Hoti.

Pas hetimit të KPK-së, i cili është zhvilluar në tre shtylla, deklarimi pasuror, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës, është vendosur se “Prokurori Hoti nuk kalon sittën e vettingut).

Prokurori Bujar Hoti është kandidat për Këshillin e Lartë të prokurorisë, por KPK vendosu shkarkimin e tij nga detyra.

PASURIA

Prokurori Bujar Hoti ka një karrierë të gjatë si prokuror dhe përgjatë një dekade ai ka drejtuar Prokurorinë e Apelit në Durrës. Në vitin 2013, ai u shkarkua nga detyra si drejtues dhe e kundërshtoi vendimin në gjykatë. Megjithatë, prej vitit 2013 ai ushtron detyrën si prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Bujar Hoti nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Të dhënat e analizuara tregojnë se prokurori Bujar Hoti zotëronte një pasuri familjare me vlerë 810 mijë lekë në vitin 2003, e cila përbëhej nga një apartament i përfituar përmes privatizimit, një sipërfaqe toke bujqësore e falur nga prindërit dhe një makinë “Mitsubishi”.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Hoti është rritur me 31 herë, duke kapur vlerën e 24.8 milionë lekëve.

Investimet kryesore të familjes Hoti janë përqendruar në tregun e pasurive të paluajtshme. Referuar deklaratave të tij periodike, ai zotëron familjarisht 3 apartamente banimi me një vlerë totale që përllogaritet në 23.8 milionë lekë. Ai zotëron gjithashtu automjete në vlerën e 930 mijë lekëve dhe një armë gjahu të blerë për 80 mijë lekë.

Të ardhurat kryesore në familjen Hoti rrjedhin nga aktiviteti i bashkëshortes si notere në masën 69 për qind. Gjatë periudhës deklaruese 2003-2017, të ardhurat familjare kapin vlerën e 71.4 milionë lekëve, ku paga e prokurorit Hoti nga funksioni zë vetëm 31 për qind të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative.

Megjithatë disa “flamuj të kuq” në analizën e pasurisë së prokurorit Bujar Hoti, të cilat lidhen me normën e lartë të kredive bankare të marra nga ai dhe bashkëshortja e tij si dhe transaksionet e kryera me automjetet.

Më konkretisht, familja Hoti ka përdorur sistemin e kredive bankare për të financuar blerjen e pasurive të paluajtshme. Gjatë periudhës deklaruese, subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshortja e tij kanë marrë në total 40.5 milionë lekë kredi.

Një makinë e shitur në vitin 2007 nuk rezulton në deklarimet e mëparshme të pasurisë, ndërsa blerja me leasing e një makine në vitin 2012 nga bashkëshortja e zotit Hoti nuk pasohet nga deklarimi i pagesës së kësteve deri në kohën e shitjes së kësaj makine.