Prerjet pa kriter dhe abuzimet me pyjet po shkatërrojnë çdo ditë e me shumë hapësirën e gjelbërt në Shkodër.
Masivet pyjore në të cilat nuk është investuar që në vitet e komunizmit sot janë dëmtuar rëndë dhe nuk mund të rikuperohen.
E gjenduar përballë kësaj situate, Bashkia e Shkodrës ka bllokuar të gjitha lejet e firmave për të prerë lëndë drusore për stinen e dimrit:
“Asnjë firme nuk i kemi dhënë leje për lëndën drusore për këtë vit.
Situata është problematike në Shosh atje ku kurora e gjelbërt është në rrezik.
Ne kërkojmë bashkëpunimin e banorëve të zonës që të denoncojnë çdo rast ku ka shkelje”, tregon drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Shkodrës, Aida Shllaku.
Edhe banorët e Dukagjinit janë të shqetësuar me prerjet e shumta.
Rrok Molla tregon se si çdo ditë ka mjete të mëdha që transportojnë dru:
“Në Dukagjin ka punëtorë që çdo ditë, presin pyjet. Vijnë me makina të mëdha, i presin dhe i dërgojnë në qytet. Madje ata kanë hapur edhe rrugët në pyje që ta kenë edhe më të lehtë punën. Nese vijohet me këtë ritëm atëherë nuk do të kemi më pyje”
60 metër lendë drusore e prerë dhe e transportuar pa lejen përkatese janë sekuestruar këtë javë nga Bashkia e Shkodrës.
Për këtë dimër, sigurimi i lëndëve drusore do të jetë edhe më i vështirë për shkodranët.
Bashkia thotë se drutë duhet t’i blejnë në Malin e Zi, por çdo ditë në zonat malore të Shkodrës ka automjete që transportojnë dru në mënyrë ilegale.