MENU
klinika

Reagimet e liderëve politik

Vizat/ ‘PE hoqi njollën, dritë jeshile për Kosovën’

13.09.2018 - 15:45

Pas liberalizimit të vizave për Kosovën, kanë qenë të shumtë liderët politikë që kanë reaguar.

Më poshtë po iu sjellim reagimet e figurave politike shqiptare dhe kosovare.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Parlamentit Evropian, i cili miratoi me 420 vota pro rekomandimin për heqjen e vizave me Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kryeministri ironizoi Parlamentin Europian për të cilin thotë se hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën.

Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën! Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t’u përshëndetur sidoqoftë”- ka shkruar Rama.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e Parlamentit Evropian për vendimin e ndërmarrë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Urime Kosovë!
Përshëndes vendimin e Parlamentit Europian për t’i hapur dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën!
Mesazh i qartë i perspektivës së saj europiane!
Shumë i gëzuar për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe arritje të madhe të popullit dhe të shtetit të Kosovës, që rritet dhe forcohet çdo ditë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon! 

Reagim ka patur edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha. Ai ka përshëndetur vendimin e Parlamentit Evropian për të liberalizuar vizat me Kosovën. Basha tha se ky votim ia rikthen dinjitetin e merituar qytetarëve të Kosovës si të barabartë me vendet e tjera të rajonit.

“Përshëndes votimin e Parlamentit Europian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE. Ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon. Votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj europiane” u shpreh Basha.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas votimit të Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën tha se vetëm një periudhë e shkurtër mbetet dhe ky proces do të përmbyllet plotësisht dhe qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian.

Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka falënderuar të gjithë eurodeputetët që kanë votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me më shumë se 2/3 e votave të eurodeputetëve, Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian.

Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian. Si President i Republikës së Kosovës, në emrin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, i falënderoj eurodeputetët për këtë vendim të drejtë”, shkruan Thaçi.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës pas votimit të Parlamentit Europian për rekomandimin për liberalizim të vizave. Haradinaj ka falënderuar të gjithë eurodeputetët të cilët votuan pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Europian.

Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Evropë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë”.

Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se sot Parlamenti Evropian votoi që qytetarët e Kosovës t’i barazojë me qytetarët tjerë evropian, që edhe ata të lëvizin lirë në vendet e Shengenit. Mustafa në rrjetin social Facebook shkruan që pret që në të ardhmen e afërt ky proces të përfundojë.


Të shpresojmë por edhe të punojmë që edhe Këshilli I Ministrave të BE-së në të ardhmen e afërt të vendosë pozitivisht për liberalizimin e vizave. Këtë vendim e meritojnë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjithashtu edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar për votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian. Me një status entuziast në rrjetin social Facebook, Pacolli i uron të gjithë qytetarët e Kosovës.


Urime Kosovë, urime e dashura rini e Kosovës. Kaluam edhe sfidën e radhës! Parlamenti Evropian sapo votoi PRO liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se tashmë pas votimit pro liberalizimit nga Parlamenti Evropian, Kosova është një hap më afër lëvizjes së lirë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Veseli ka thënë që institucionet e Kosovës do të vazhdojnë lobimin që ky proces të përmbyllet brenda këtij viti.

Pas votimit pro nga Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave, jemi edhe një hap më afër drejt lëvizjes së lirë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë lobimin që ky proces të përmbyllet brenda këtij viti. Qytetarët tanë e meritojnë këtë”, ka shkruar kryeparlamentari Veseli.

Pas votimit nga Parlamenti Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën ka reaguar edhe zëvëndëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Në rrjetin e tij social Facebook, Limaj e ka quajtur një lajm të madh për qytetarët e Kosovës votimin pro liberalizimit të vizave nga ana e Parlamentit Evropian.

Ai ka falënderuar eurodeputët e Parlamentit Evropian për votimin pro liberalizimit të vizave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN