Shqipëria pritet të marrë miratimin e granteve për bujqësinë në vlerën e 71 milionë eurove, në kuadrin e programit IPARD. Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se misioni auditues që vizitoi Shqipërinë në datat 24-27 shtator 2018 është përmbyllur me sukses.
Në përfundim të procesit të auditimit, përfaqësuesit e Misionit konfirmuan përmbushjen në nivel të kënaqshëm të kushteve të vendosura në Marrëveshjen e Financimit dhe gatishmërinë për fillimin e zbatimit të tij. Përfaqësuesit e Komisionit Europian do t’i propozojnë nivelit vendimmarrës dhënien e opinionit pozitiv për çeljen e thirrjes për aplikim për përfitimin e granteve nga fermerët dhe bizneset e interesuar.
Zyrtarisht, miratimi pritet të mbërrijë në fund të tetorit, duke mundësuar dhe çeljen e thirrjes për aplikime për vlerën e financimit që në total shkon 71 milionë euro nga buxheti i Komisionit Europian dhe bashkëfinancim 23 milionë Euro nga buxheti i shetit shqiptar, i shtrirë në 5 vite.
Programi IPARD është miratuar me vendim të Komisionit Evropian datë 20 Korrik 2015. Ky program ka si synim të mbështesë fermerët, sipërmarrjet ekonomike bujqësore, përfshirë kooperativat, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizik ose juridik mikro-sipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private jo-bujqësore të kryejnë investime për prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, të mishit, fruta-perimeve, bimëve të mbrojturave dhe vreshtave. Gjithashtu, programi synon të mbështetsë investimet në Akuakulturë, Turizëm Natyror dhe Rural dhe Prodhim të Energjisë së Rinovueshme. Treguesit dhe objektivat parashikojnë se në përfundim të këtij programi do të mbështeten afërsisht 750 projekte investimi dhe do të krijohen rreth 800 vende pune.