Vitin e ardhshëm, qeveria shqiptare do të shpenzojë shifrën rekord të 100 milionë eurove për rimbursimin e barnave. Buxheti i vitit 2019 për këtë qëllim do të rritet me 10% dhe do të jetë më i larti i parashikuar ndonjëherë. Sipas parashikimeve të qeverisë, edhe për vitet në vazhdim shpenzimet për rimbursimin e barnave do të vazhdojnë të rriten me rreth 10% në vit.
Vitin e kaluar, qeveria vendosi të sigurojë barna me rimbursim edhe për personat e pasiguruar. Megjithatë, siç do të sqarohej më vonë, kjo vlen vetëm për të sëmurët kronikë. Për këtë vit, shpenzimet për barnat e rimbursueshme nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor priten të arrijnë në 11.5 miliardë lekë ose rreth 91 milionë euro.
Premtimi për shërbim shndetësor falas ka qenë kryefjala e fushatës së vitit 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet. Plotësimi i këtij premtimi ka qenë objekt debatesh të shumta. Në pesë vitet e fundit, është shtuar numri i shërbimeve që ofrohen pa pagesë për të gjithë, si kontrolli i përgjitshëm (check up) apo kujdesi shëndetësor parësor (vizitat në klinika).
Megjithatë, ofrimi i mbulimit shëndetësor universal pa pagesë për të gjithë ngelet ende larg. Statistikat tregojnë se Shqipëria vazhdon të ketë një normë të lartë të shpenzimeve për shëndetësinë që paguhet nga vetë pacientët.