MENU
klinika

Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, vit vendimtar për Evropën…

30.10.2018 - 16:05

Nuk është ekzagjerim të thuhet se viti 2019 do të jetë viti që ose do ta rindërtojë ose do ta shkatërrojë Bashkimin Evropian. Sikur Brexit dhe kriza italiane të borxhit të mos mjaftonin, votuesit evropianë do të votojnë nëse do t’i dorëzojnë frenat e BE-së nacionalistëve që do ta shkatërrojnë atë.

Politikisht, viti 2019 do të jetë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Mbretëria e Bashkuar është aktualisht gati për t’u larguar nga BE më 29 mars 2019. Dhe, pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian në maj, pothuajse të gjitha pozicionet më të rëndësishme të lidershipit në të gjitha institucionet e BE do të pësojnë ndryshime.

Shpërndarja e re e fuqisë brenda institucioneve të BE-së do të pasqyrohet kryesisht përmes personelit. Do të emërohen presidentë të rinj të Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane dhe do të zgjidhet një Përfaqësues i Lartë i ri i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Shtetet anëtare të BE-së janë më të ndarë se kurrë, madje edhe kur bëhet fjala për çështjet më të rëndësishme në lidhje me projektin evropian.

Konsensusi i gjerë pro-evropian i së kaluarës është zëvendësuar me një nacionalizëm të ringjallur. Dhe ka shumë arsye për t’u frikësuar se këto përçarje do të pasqyrohen në përbërjen e re të Parlamentit.

Koalicioni i madh i sotëm midis Partisë Konservatore Popullore Evropiane (PPE) dhe Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S & D) ka shumë gjasa që të mos mbijetojë pas zgjedhjeve. Dhe ka lojtarë të rinj, përfshirë grupin e Emmanuel Macron dhe disa parti radikale euroskeptike dhe nacionaliste.

Kjo do të jetë një garë për Evropën dhe të ardhmen e demokracisë evropiane.

Nuk ka nevojë të thuhet, zgjedhjet parlamentare do të kenë implikime të gjera për të ardhmen e Evropës në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara e përbuz vazhdimisht BE-në dhe gjithnjë e më shumë flitet për “fundin e Perëndimit”.

Rusia ka nisur luftëra në Evropë dhe në Siri. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po e çon vendin e tij drejt autoritarizmit. Dhe Kina po kërkon të njihet si fuqi globale.

Më keq akoma, vendimi i fundit i Presidentit të SHBA Donald Trump për tu tërhequr nga Traktati i vitit 1987 me Rusinë, sjell rrezikun për nisjen e një gare të re armësh.

Në këtë sfond të zymtë, çështja është Çfarë do të bëhet me Evropën. A do të arrijnë evropianët të ruajnë sovranitetin e tyre?

Një fitore e nacionalistëve vitin e ardhshëm do ta rrëzonte BE-në dhe do ta fuste në një krizë tjetër të thellë. Kjo do të përbënte një humbje për vlerat themelore të Evropës.

Nga ana ime, unë parashikoj që zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të sjellin ndryshime dramatike në Evropë. Për mirë ose keq, çështja e Evropës është politizuar dhe tani duhet të vendoset. Do të jetë një rilindje e nacionalizmit apo një fitore për demokracinë dhe unitetin e BE. Fatkeqësisht, pro-evropianët nuk mund të shpresojnë për ndonjë ndihmë nga jashtë. Evropa duhet të jetë vigjilente dhe duhet të kontrollojë ndërhyrjet e huaja në çështjet dhe zgjedhjet e saj.

Në vitet e fundit, ka pasur shumë diskutime për BE-në që vuan nga një “deficit demokratik”. Por lufta për një shumicë në Parlamentin Evropian aktualisht përbën një mundësi të madhe për demokracinë. Pro-evropianët duhet vetëm të zgjohen në kohë për ta shfrytëzuar atë mundësi ose armiqtë e Evropës do ta shfrytëzojnë.

Joschka Fischer ishte Ministri i Jashtëm dhe Zëvendës Kancelari gjerman nga 1998-2005. Fischer hyri në politikë pas pjesëmarrjes në protestat e viteve 1960 dhe 1970 dhe luajti një rol kyç në themelimin e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, të cilën ai e udhëhoqi për pothuajse dy dekada.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN