MENU
klinika

Nga The Economist

A do të marrë fund konflikti Itali-BE?

27.10.2018 - 14:45

Si një çift “luftëtarësh të çmendur” para një beteje, Komisioni Evropian dhe qeveria italiane janë gjithmonë gati për përplasje. Më 23 tetor Brukseli kërkoi që koalicioni populist në Romë të rishkruajë buxhetin e saj. Është hera e parë që nga fillimi i euros që komisioni ka hedhur poshtë projektin fiskal të një shteti anëtar.

Ai argumenton se buxheti italian ka devijuar nga objektivat e rënë dakord në marrëveshjen e  BE për financat publike. Partitë e koalicionit në Romë planifikojnë një defiçit prej 2.4% të PBB, tre herë më shumë se kufiri i arritur me qeverinë e mëparshme të Italisë.

Matteo Salvini, Ministri i Brendshëm Italian tha se komisionerët e BE nuk po sulmonin një qeveri, por një popull të tërë. Zëvendëskryeministri, Luigi Di Maio, huazoi një thënie të Franklin Roosevelt për t’iu drejtuar italianëve: “E vetmja gjë për t’u frikësuar është vetë frika.”

Buxheti parashikon më shumë përfitime për të varfrit dhe të papunët, si dhe shkurtime selektive të taksave. Ai gjithashtu hoqi një reformë pensionesh në mënyrë që disa punonjës të jenë në gjendje të dalin në pension në moshën 62 vjeçare. Por ajo që e bën komisionin të “stepet” është frika se në të njëjtën kohë deficiti nuk do të bëjë sa duhet për të ulur borxhin publik të frikshëm të Italisë.

Rreziku është se mosbesimi në aftësinë e Italisë për të shlyer borxhet e tij mund të shkaktojë një emergjencë në eurozonë.

Për shumë vite borxhi italian ka qenë “elefant” në zonën  e monedhës së përbashkët, një gjigant që ka kërcënuar për një krizë në një ekonomi dhe, ndryshe nga Greqia është shumë e vështirë për tu shpëtuar.

Më 18 tetor, Pierre Moscovici, komisioneri ekonomik, vizitoi Romën në një përpjekje të fundit për të “sqaruar” planet buxhetore, por pa sukses.

Qeveria italiane ka kohë deri më 13 nëntor për të reaguar ndaj refuzimit të komisionit. Pastaj komisioni ka edhe tre javë për t’iu përgjigjur reagimit. E nëse nuk gjendet ndonjë marrëveshje, mund të zgjasë deri në prill që Brukselin të fillojë procedurën  dhe një gjysmë viti tjetër për sanksionet që do të vendosen.

Drama italiane duket se do të vazhdojë edhe disa kohë. Një samit në dhjetor do të diskutojë lëvizjet drejt një buxheti të përbashkët dhe një fondi shpëtimi për bankat në vështirësi, pra propozimet e Emmanuel Macron, presidentit të Francës, vjeshtën e kaluar.

Një qeveri që thyen rregullat, si ajo italiane, e bën më të vështirë bindjen e skeptikëve se planet nuk rrezikojnë kursimet dhe buxhetet e evropianëve të veriut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bisedime për një tjetër aleancë

Liderat evropianë kundër populistëve