MENU
klinika

Intervistë/Dr. Alma Kodheli

A është i trashëgueshëm artriti reumatoid?

23.10.2018 - 16:51

• Çfarë është artriti reumatoid?

Artriti reumatoid është një sëmundje reumatizmale, inflamatore, sëmundja e indit lidhor, që prek organizmin pothuajse në të gjitha moshat,përgjithësisht 30-60 vjeç. Është sëmundje kronike që prek 1 % të popullatës të gjithë botës.

Me të njëjtën përhapje është paraqitur edhe në vendin tonë. Sëmundje me pasoja invalidizuese që krijon probleme jo vetëm për të sëmurin, por edhe për familjen edhe për shoqërinë.

• Cilët janë faktorët rriskues të kësaj sëmundje inflamatore artikulare?

Artriti reumatoid është një sëmundje me faktor akoma edhe sot të panjohur. Megjithatë akuzohen disa faktor, duke u bazuar në materialet që janë gjetur në artikulacionet ose indit lidhor të të sëmurëve.

Akuzohen faktorët bakterial ndër të cilat streptokoku beta hemolitik është më i gjeturi në këta pacientë, si shkaktari më i mundshëm; akuzohen faktorët viral, faktorët mykotik, mund të përmendim mykoplazmën që janë gjetur në materialet bioptike.

Por rol të rëndësishëm kanë edhe faktorët gjenetik, të cilët janë vëzhguar edhe në rastet familjare. Janë edhe faktorët social ekonomik, obeziteti ndikon, klima, lagështira, kushtet e jetesës.

• Pra artriti reumatoid është i trashëgueshëm?

Nuk mund të themi 100% të rasteve, por është kemi plot të raste të trashëguara nga prindërit tek fëmijët. Ka edhe faktor të tjerë, siç është edhe faktori hormonal.

Në gratë shtatzëna artriti nuk shfaqet dhe menjëherë pas një viti shfaqet një artrit i rrufeshëm në formë akute që mund ta vuaj e sëmura deri në fund të jetës. Probabiliteti pas lindjes ka raste të shumta të shfaqjes së sëmundjes.

• Cilat janë simptomat që pacientët duhet të kuptojnë që ka nisur problemi i sëmundjes së artritit reumatoid?

Shfaqet kryesisht në moshat 30 deri në 60 vjeç, por nuk përjashtohet asnjë moshë. Artriti mund të shfaqet nga 15 vjeç deri në 65 vjeç, pa përjashtuar edhe rastet te fëmijët ku njihet si sëmundje Juvenil artriti i fëmijëve që është një formë shumë agresive, e cila është edhe e vështirë të diagnoztikohet pasi shfaqet më shumë me shenja të përgjithshme, ngatërrohen shenjat.

I sëmuri nuk paraqitet direkt te reumatologu pasi ai shfaqet me shenja të përgjithshme dhe i sëmuri mund të ndihet i lodhur me temperaturë, me prekje të organeve me rëndësi jetike, më pas fillojnë të shfaqen shenjat artikulare. Sëmundja shfaqet me një lodhje të përgjithshme fillimisht që zgjat për disa muaj.

Karakteristikë e kësaj sëmundje është prekja simetrike e artikulacioneve. Preken fillimisht artikulacionet e vogla si të duarve dhe të këmbëve, kryesisht të duarve. E bëjnë të sëmurin ndonjëherë nervoz dhe të paaftë të mbaj gjëra në dorë dhe për të ushtruar aktivitetin normal fizik në përditshmërinë e tij.

Pastaj fillojnë shenjat inflamatore, që janë dhimbja, edemat, temperaturë subfebrile, skuqje të artikulacioneve. Vetëm artriti Juvenil shfaqet me temperaturë të lartë te fëmijët e vegjël, ndërsa në moshat e rritura temperatura është 37 deri në 37,5, por që e lodh shumë të sëmurin.

Fillon ngrohtësia lokale në kyçe, pamundësia për të realizuar lëvizjet artikulare dhe me kalimin e kohës nëse i sëmuri nuk fillon mjekimin që në stadin e parë të sëmundjes, do të ketë avancim me prekjen e indit lidhor edhe në artikulacionet e tjera më të mëdha, duke e dëmtuar më shumë artikulacionin, kërcin artikular dhe më tej edhe kockën.

• Si e prek organizmin artriti reumatoid?

Po të flasim për mekanizmat patologjik të kësaj sëmundje, duke menduar faktorët etiologjik që dyshohen qofshin këto mikrobial, viral apo mykotik të cilat akuzohen më shumë dëmtojnë indin lidhor.

Janë faktorë të jashtëm që vijnë në organizëm dhe paraqiten si trupa të huaj, ndaj të cilave organizmi reagon me inflamacionin, por jo vetëm sepse prekin edhe indin lidhor edhe në organe të tjera me rëndësi jetike siç është zemra, veshkat, mëlçia, shpretka etj. Është një sëmundje me komplikacione të rënda nëse nuk mjekohet në kohë dhe siç duhet.

• A diagnostikohet me vështirësi artriti reumatoid? Pse?

Ka disa arsye që diagnostikohet me vështirësi. Ka disa kritere bazë klinike, që për mjekun janë të vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat na ndihmojnë që t’i drejtohemi diagnozës së artritit reumatoid.

Për veç këtyre mjeku pastaj bën ekzaminime të tjera laboratorike, imunologjike, radiologjike që janë të nevojshme për të përcaktuar diagnozën.

Kriteret klinike kanë një vlerë të madhe, pasi artriti është një sëmundje shumë specifike, siç thamë ka një prekje simetrike, artikulacionet e vogla kur sëmundja avancon fillojnë dhe deformohen. marrin një devijim të veçantë.

• Në cilin stad i shikojmë këto devijime?

Devijimi fillon që në stadin e dytë, pastaj deformimet e mëdha nisin në stadin e tretë dhe stadi i katërt e i peste janë fatal sepse fillojnë ankilozat (palëvizshmëri dhe ngurtësim jo normal i sipërfaqeve të eshtrave).

Artriti është një sëmundje ankilozuese, që kur avancon në stadet 4-5 që janë stadet përfundimtare, është një sëmundje që invalidizon.

Artikulacionet ngurtësohen, ankilozohen dhe i sëmuri humbet aftësinë për të realizuar lëvizjet me atë artikulacion që preket, ose disa artikulacione të prekura.

• Si mund ta dallojmë artritin reumatoid nga sëmundjet e tjera artikulare?

I sëmuri nuk arrin ta dallojë vetë, një mjekë reumatolog me ekzaminimet përkatëse. Nuk është se nuk ngatërrohet me sëmundjet e tjera të indit lidhor sepse janë shumë të ngjashme edhe si mekanizëm edhe si shfaqje klinike, por ka disa ndryshime edhe në analizat laboratorike dhe imunologjike që e diferencojnë.

• A mund ta parandalojmë artritin?

Nuk mund të parandalojmë sepse nuk dihen faktorët etiologjik, shkaktarët e kësaj sëmundje. Por ajo që mjeku mund të bëj në bashkëpunim me pacientin është të ndalojnë avancimin e sëmundjes, pra të mos arrijë në stadin e 4 dhe të 5.

Mund të frenojnë periudhat e riakutizimit, duke qenë një sëmundje kronike, me periudha acarimi të shpeshta, mjekimi mund të bëjë që këto acarime të jenë më të radha ose mund t’i ngushtojnë si periudha.

• A mund të shërohet kjo sëmundje?

Nuk realizohet një shërim i plotë, por me mjekim të rregullt mund të realizojnë aktivitetet fizike normale si gjithë të tjerët. Mjekimi jo i rregullt, diagnostikimi i vonë dhe faktorët e tjerë social-ekonomik të pacientëve mund të bëjnë që i sëmuri të invalidizohet shpejt. Shërim të plotë të kësaj sëmundjeje nuk ka.

• Cila është mënyra e trajtimit?

Medikamentet që përdoren për këtë sëmundje dhe në përgjithësi të sëmundjeve të indit lidhor, janë medikamente të vështira që sipas stadeve rritet edhe rëndësia e medikamentit, vlera si dhe efektet anësore të tij.Në stadet e para mund të përdorim anti-inflamator jo steroid, pra qetësues të dhimbje dhe inflamacionit.

Kur sëmundja kalon në stadin e dytë, nis përdorimi i steroideve, kortizonikëve, pra anti-inflamatorëve steroid, të cilat duhen përdorur me shumë kujdes. Këto barna kanë kritere të përdorimit pasi kanë efekte anësore.

Me avancimin e stadeve fillojnë dhe përdorimi i imunosupresorëve që edhe këto janë preparate që duhen përdorur me shumë kujdes dhe i sëmuri duhet të kryejë herë pas here analizat laboratorike pasi mund të kenë dëmtime të organeve nga përdorimi i medikamenteve dhe së fundmi për stadet pas të dytit, preparatet biologjike që janë në modë.

Aplikohet edhe në Shqipëri për pacientët që janë më të rriskuar, por nuk mund të themi akoma që artriti me këto barna do të shërohet. Gjithmonë duam të realizojmë frenimin e fazave akute të sëmundjes.

• Cilat janë efektet anësore më të shpeshta nga trajtimi afatgjatë i kësaj sëmundje?

Anti-inflamatorët kanë efekte anësore të shumta, në stomak, japin hipertension, dëmtojnë mukozën e tubit tretës, ku krijojnë ulceracione nga përdorimi afatgjatë i tyre.

I sëmuri i ka të nevojshme përdorimin e tyre sepse nuk mund të durojnë dhimbjet dhe temperaturën, por duhet me kriter dhe mos të abuzohet në marrjen e tyre.

• Kur pacienti është i detyruar t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, referuar stadeve?

Mund të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale vetëm në stadin e 4-ët dhe të 5-të kur ato kanë ankiloza. Ndërhyrja kirurgjikale mund të rregullojnë pjesërisht, sepse k[to stade paraqiten me një gjendje shumë të rëndë.

• Cilat janë këshillat e fundit që mund t’i jepni lexuesve që janë të prekur nga kjo sëmundje? (Flas për një regjim ushqimor, ushtrimet e posaçme, apo banjat termale.)

Të kenë kujdes me shtimin në peshë sepse kockat dobësohen shumë dhe nuk mund të mbajnë peshën trupore. Një regjim të kujdesshëm ushqimor për të mos shtuar në peshë.

Të shmangem ushqimet me shumë kripë kur përdorin kortizonikë që të mos fryhen, sepse e ka kortizoni këtë efekt anësor. Në këtë rast mund të përdorin diuretik për eliminimin e kripërave të tepërta.

Ushtrimet duhet t’i bëjnë tek fizioterapisti, asnjëherë vetë sepse mund t’i dëmtojnë artikulacionet. Pra këshillë të mjekut specialist dhe pa kontrollin e fizioterapistit nuk mund të realizohen ushtrimet.

Dr. Alma Kodheli
Reumatologe pranë Qendrës së Specialiteteve Nr.2 në Tiranë

Banjat termale janë të këshillueshme në përgjithësi në sëmundjet reumatizmale të indit lidhor, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e mjekut, pra para se të vendosë të shkojë duhet të konsultohet me mjekun reumatolog sepse jo të gjithë të sëmurët bëjnë banja termale sepse mund të kenë sëmundje të tjera që ndikojnë negativisht.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN