MENU
klinika

Albert Çaçi

A mund të bashkohen dy Koretë?

14.10.2018 - 14:26

Trump ka meritën se i dha një drejtim pozitiv,  të paparashikuar deri tani  edhe nga më optimistët,  konfliktit 70-vjeçar korean. Por zhvillimet e fundit pozitive në gadishullin korean natyrisht shtojnë një pyetje.

 A mundet që kjo trajektore pozitive  të cojë deri në bashkimin e Koreve duke i kthyer ne statusin e para Luftës së Dytë Botërore?

Nuk është  një përgjigje e  thjeshtë pasi flitet për një realitet shumë të komplikuar që nuk zgjidhet me nacionalizëm romantik.

Bashkimi dy Koreve do të sillte një shtet të ri me një sipërfaqe  221 000 km katror  ( 100 200  Jugu dhe 120 500 Veriu), me një popullsi 74.6 milion banorë (50,6 Jugu dhe 24  Veriu) dhe  me një GDP  1,16 trilion USD (1,12 trilion Jugu dhe 40 miliard Veriu, praktikisht ekonomia e 12 e botës.

Mbas bashkimit të dy Gjermanive, dy Vietnameve dhe dy Jemenëve  gadishulli korean  mbeti reliku i vetëm i politikës së konfontimit të Luftës së Ftohtë. 

Por krijimi i një shteti të tillë ku të bashkohet zhvillimi i lartë  tekniko-teknollogjik  i Jugut si një nga pjesët më të industrializuara të botës me pasuritë e mëdha minerare të Veriut  është një proces  që ka pasoja politike, ekonomike, ushtarake dhe gjeopolitike  si rajonale edhe botërore.

1 – Aspekti politik – Koreja është ndarë në vitin 1953 mbas një lufte të përgjakshme  ku humbën jetën mbi 2 milion koreane dhe 34  mijë ushtarë amerikane dhe rreth 140 mijë  kinezë. Në përfundim  u firmos një armëpushim në paralelin 38 por asnjëherë nuk u nënshkrua një traktat paqeje dhe dy vendet janë praktikisht në një gjendje lufte latente.

SHBA u vendos aty  me një kontigjent ushtarak që egziston edhe sot me 28 500 ushtarë. 

 Vendi mund të shkojë drejt riunifikimit dhe gjetja e nje forme organizimi shtetëror nuk është problemi kryesor. Mund të zgjidhet  forma e një federate me mbajtjen e sistemeve përkatëse për një kohe sipas shembullit të Hong Kongut me Kinën.

Problemi kryesor është se bashkimi nuk ka një mbështetje në Korenë e Jugut e cila mendon se nje bashkim do të ketë një kosto shume të madhe e cila do të rëndojë  eskluzivisht mbi Korenë e Jugut për vite të tëra duke i cënuar zhvillimin dhe  nivelin e jetesës.

Sipas një sondazhi të  fundit rezulton se vetëm 14% e  koreanëve jugorë mbështesin bashkimin kundrejt  94 % të  koreanëve veriorë. Ajo që është më shqetësuese rezulton në faktin se mbi 60% e të rinjve koreano jugorë janë kundër.

Siç duket tek rinia e Koresë së Jugut patriotizmi konsiderohet nje relike që i përket shekullit të shkuar pasi globalizmi ka sjellë  mendësi të reja konsumiste që janë prioritare  dhe që nuk duan t’i kompromentojnë  me sakrifica  për vëllezërit e prapambetur dhe të “pagdhendur”.  

2 – Aspekti ekonomik – Problem kryesor i bashkimit është ai ekonomik.

kolana e librave

RD Gjermane ishte shteti më i avancuar dhe i pasur  i Kampit Socialist kurse Koreja e Veriut ai më i prapambeturi dhe më  i varfri.

Republikës Federale  iu deshën 25 vjet duke harxhuar me 2 trilionë  dollarë për ribashkimin e dy vendeve dhe akoma sot ka një diferencë të dukshme dhe integrimi i lindjes nuk konsiderohet akoma një proces  i mbyllur.

Bashkimi korean parashikohet të kërkojë rreth 3 trilion  dollarë  dhe mbi 15 vjet. Pavarësisht se Koreja e Veriut është shumë e pasur në burime natyrore, hekur, qymyr  metale të ralla dhe ka disa degë të ekonomisë mjaft të zhvilluara si metarlurgjia dhe ajo atomike. Një vend që disponon teknologjinë bërthamore dhe krijon testata nukleare dhe sisteme raketore balestike interkontinentale tregon një shkallë te caktuar të nivelit  teknik  dhe teknollogjik, pasi  janë shumë pak vende në botë që mund t’i realizojnë.

Problemi kryesor i vendit është infrastruktura e prapambetur, niveli arsimor shumë i ulët  dhe një diferencë e madhe në nivelin kulturor midis dy vendeve. Në këtë aspekt Koresë së Jugut i duhet një sforco gjigante që mund të frenojë zhvillimin e saj.

Por nga ana tjetër bashkimi i Koreve mund të sjellë edhe përfitime të mëdha. Shpenzimet kolosale ushtarake që bëjnë dy vendet për tu ruajtur nga njëri-tjetri  mund të reduktohen ndjeshëm. Po kështu edhe krahu i lirë i punës së veriut mund të  integrohet në sistemin e punës së Jugut duke sjellë përfitime jo të vogla.

3 – Aspekti gjeoushtarak – Të  dy palet mbajnë një potencial ushtarak të jashtëzakonshëm sidomos në dy krahët e paralelit 38. Konsiderohet kufiri më i fortifikuar dhe më i minuar në botë me mbi 200 mijë pjesë artilerie  në gatishmëri absolute. Terreni malor mund ta kthejë një konfrontim ushtarak  me armët e sotme moderne në një kasaphane gjigande. Pa folur për variantin alucinant të  një sulmi atomik. Sot nuk ka vend tjetër në botë që të bashkëjetojë me frikën e një sulmi imediat.

Kështu që   bashkimi i dy Koreve do të sjellë  jo vetëm perfitime ekonomike por mbi të gjitha do ta çliriojë vendin  nga një ankth  stresant që i shoqëron për mbi 6 dekada.

Por nëse kjo do të ndodhë, atëherë   përpara vendit do të hapet një problem i madh gjeostrategjik. SHBA ka bazat e saj ku janë dislokuar  28,5 mijë ushtarë amerikanë. Argumentimi zyrtar i bazave është se janë aty për të mbrojtur  Korenë e Jugut që të mos përsëritet lufta e 1953.

Në rast se vendi do të bashkohen bazat nuk kanë më justifikim. Vazhdimi mëtejshëm i pranisë ushtarake do të thotë që qëndrimi i tyre është për të përballuar Kinën dhe Rusinë dhe kjo do të thote rritje e tensionit gjeopolitik dhe ushtarak.

Nëse SHBA do të largohen nga Koreja e bashkuar  atëhere në gjithë Paqësorin Perëndimor përballë një Rusie dhe Kine gjithmonë edhe më agresive  do të ngelen vetëm  bazat në Japoni që janë  1000 km larg kontinentit. 

Kjo do të thotë një tërheqje e madhe gjeostrategjike   duke  lënë gjithë Azinë Lindore në dorë të Kinës dhe Rusisë. Kështu që SHBA dhe Japonia nuk janë shumë të interesuar për bashkimin. Nga ana tjetër Kina nuk dëshiron që Veriu të asorbohet nga Jugu dhe të jenë nën orbitën amerikane. Në të njëjtin pozicion edhe Rusia.

Jo të gjithë mund të jenë entusiastë nga bashkimi i dy Koreve, pavarësisht se për momentin mundohen  të duken pozitivë. Një  shtet i tillë potent, me një nga popujt me krenarë dhe  kreativë të gjithe Azizë  mund të prishë shumë ekulibra që ngaqë kanë mbi 70 vjet, duken sikur tashmë janë natyrale.

Por panarësisht nga kjo koreanët mund ta shrytëzojne rastin që mund t’ia sjellë historia dhe ta bashkojnë kombin e tyre  dhe të mbyllin një nga kapitujt më të trishtueshëm  të historisë së tyre që u solli kaq mundime, sakrifica në njerëz dhe shpenzime kolosale dhe të projektohen drejt të ardhmes si një shtet potent dhe paqësor siç kane qenë në gjithë historinë e tyre. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gabimet që janë bërë...

Nënvlerësimi i Trump nga Erdogan

'Lufta' për gazin

Marrëveshja e Kaspikut

Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit