Që nga krijimi i saj në 1932, Mbretëria Saudite nuk është gjendur në situatë më të vështirë se këto ditë.
Zhdukja e gazetarit Jamal Khashoggi, një opozitar i fortë kundër princit të ri Muhammad bin Salman, dhe për më tepër editorialist i Washington Post ka shkaktuar një indinjatë shumë të thellë në Perëndim dhe rrezikon seriozisht marrëdhëniet me Arabinë Saudite.
Arabia Saudite, për hir të së vërtetës është trajtuar nga Perëndimi në një mënyrë speciale. Kjo mënyrë trajtimi nuk i është bërë ndonjë shteti tjetër, ndoshta me përjashtim të Israelit. Kuptohet që Perëndimi nuk i bën këto lloj trajtimesh rastësisht.
Arabia Saudite nuk ka patur ndonjë peshë të madhe politike edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompanitë amerikane për krijimin e ARAMCO për shfrytëzimin e naftës saude në 1938. Por vendi mori një rëndësi të madhe mbas krizës së naftës së vitit 1973 ku si eksportuesja më e madhe në botë luajti një rol të dorës së parë.
Por Saudët u bënë të jashtëzakonisht të rëndësishëm për SHBA ne vitin 1975. Mbas venndimit të prësidentit amerikan Nikson për të mos garantuar më me ar dollarin, në këtë vit u nënshkrua marrëveshja midis dy vendeve që SHBA do të garantonte ushtarakisht Arabinë Saudite dhe në këmbim gjitha nafta e tyre dhe e petromonarkive të tjera do të tregtoheshin në dollarë. Dhe për më tepër do të investoheshin në bonot e thesarit amerikan të ashtuquajturit petrodollarë. Kështu SHBA nuk do ta garantonte më dollarin me arin e verdhë por tashmë me arin e zi, naftën.
Kjo marrëveshje shënoi nisjen e muajit të mjaltit midis Arabisë Saudite dhe SHBA.
Vendi u bë praktikisht i paprekshëm.
Askush nuk tha një fjalë për ndërhyrjen ushtarake në Bahrein, për luftën në Jemen, për bllokadën ndaj Katarit, për trajtimin brutal të Kanadasë vetëm se u shpreh në mbrojtje të një OJQ për të drejtat e njeriut. Madje u zgjodh që të kryesonte edhe Komisionin për të drejtat e njeriut në OKB megjithese është një vend që nuk ka pluralizëm politik.
Por tashmë gjithçka po ndryshon. Zhdukja e gazetarit në Konsullatën saude në Stamboll ndoshta është pika që po përmbys vazon.
Nga shumë drejtime, nga parlamentarë, nga gazetarë, nga organizata për të drejtat e njeriut po kërkohet me ngulm që nëse provohet që Riadi ka gisht në këtë ngjarje ai duhet për herë të parë të sanksionohet.
Por këtu loja vjen dhe bëhet e komplikuar.
Arabia Saudite zotëron mbi 700 miliardë dollarë investime në bono thesari amerikane. Kryen gjithë tregtinë e naftës në dollarë, ka nënshkruar një kontratë për blerjen 110 miliard dollarë armatim në SHBA, Britani, Francë dhe Gjermani, është avantposti për bllokimin e depërtimit të Iranit në Lindjen e Mesme.
Ka dhe një faktor tjetër shumë rilevant. Në Arabinë Saudite ndodhet Meka, vendi me i shenjtë i gjithë Islamit dhe ajo konsiderohet si udhëheqësja shpirtërore jo vetëm e suniteve por dhe e gjithë islamizmit në botë.
Trump po nguron të shprehet edhe mbas kërkesës së disa kongresmenëve dhe senatorëve bipartizan për sanksione, pasi nga ky veprim SHBA do të humbasin shumë aq më tepër që në fillim të nëntorit do të nisin sanksionet ndaj Iranit dhe situata gjeopolitike në rajon do të komplikohet shumë.
Arabia Saudite ka kërcënuar se në rast se do të sanksionhet ajo do të kundërpërgjigjet ashpër .
Në radhë të parë ajo do të fillojë të lirohet nga financimi i bonove të thesarit amerikan, dhe në kushtet kur Rusia i shiti të gjitha dhe tashmë në këtë rrugë është edhe Kina, dalja dhe e Arabisë Saudite mund te shkaktojë fillimin e një krize shumë të rrezikshme financiare.
Së dyti Arabia Saudite mund të anullojë të gjitha marrëveshjet për blerjen e 110 miliard dollarë armatime duke u drejtuar për armë drejt Rusisë dhe Kinës. Arabua Saudite është duke negociuar që tani blerjen e S-400.
Së treti mund të fillojë të shesë naftën e saj dhe të satelitëve të saj jo në dollarë dhe mund të mos shtojë prodhimin për të kompensuar Iranin duke e çuar cmimin e naftës mbi 150 dollarë për fuçi dhe dëmtuar gjithë ekonominë botërore. Por një naftë mbi 150 dollarë për fuçi para zgjedhjeve parlamentare në SHBA në fillim të nëntorit do të jetë një goditje edhe për Trump.
Arabia Saudite është nga të paktat vende në botë që mund të dëmtojnë ekonomikisht SHBA, pa folur për pasoja gjeopolitike ku ajo mund t’i drejtohet Kinës, që është në marrëdhënie special, si dhe Rusisë.
Jo më kot nga këta dy vende deri tani nuk ka patur pozicionime kundër Saudëve për gazetarin e zhdukur. Siç duket mezi presin që Arabia të hyjë në konflikt me SHBA dhe kjo mund të ketë pasoja tektonike për gjithë Lindjen e Mesme dhe me tej.
Trump duket në vështirësi dhe po mundohet të marrë kohë por deklaroi qartë se sanksionet ndaj Arabisë Saudite do te dëmtojnë rëndë interesat amerikane. Ai deklaroi mbas një bisede me Mbretin saud se pret fundin e hetimeve por saudët pretendojnë se nuk kanë gisht në këtë lojë dhe se ky është një komplot për të dëmtuar marrëdhëniet e Arabisë Sudite me Perëndimin. Fakti që dje sekretari i Shtetit Pompei vizitoi Riadit dhe më vonë Turqinë tregon se problemi është shmë serioz.
Problemi komplikohet më shumë pasi Turqia, si vendi ku dyshohet se ka ndodhur krimi është në marrëdhënie jashtëzakonisht të përkeqësuara me Arabinë Saudite për një sërë faktorësh (Vllazëria muslimane, Katari, Irani, Jeruzalemi etj) dhe ka vendosur ta zbardhë deri në fund këtë ngjarje. Kjo edhe për faktin se nëse gazetari nuk është eleminuar në konsulatën saudite atëherë përgjegjësia do të binte mbi shtetin turk, dhe me gjithë problemet që ka Erdogani veçanërisht me gazetarët edhe kjo i mungonte që të akuzohej për zhdukjen e gazetarit saud.
Është një situatë e komplikuar ku gjeopolitika, afaret financiare miliardare dhe të drejtat e njeriut janë ndërthurur si rallë ndonjëherë më parë por me gjithë kompleksitetin kërkohet një pozicionim. Koha do të vërtetojë se si do të pozicionohet Perendimi në këtë ekuacion me shumë të panjohura, natyrisht mbasi të sqarohet deri në fund kjo ngjarje që në thelb është mjaft e trishtueshme dhe aspak humane.