Sot ishte dita botërore kundër varfërisë për të cilën u organizua edhe një aktivitet nga ana e qeverisë.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i pranishëm në këtë aktivitet adresoi mesazhe të qarta për të ulur numrin e familjeve të varfra në Shqipëri.
Ruçi tha se së pari duhet të rritet mbështetja e Kuvendit dhe të përmirësohet legjislacioni.
“Do të rrisim mbështetjen e Kuvendit për përmirësimin e legjislacionit në këto fusha” u shpreh Gramoz Ruçi.
Avokatja e Popullit këmbënguli në përcaktimin e minimumit jetik.
“Unë e kuptoj që fondi është ai që është por edhe ju duhet ta kuptoni që njerëzit nuk jetojnë dot me këtë vlerë të ulët” u shpreh Erinda Ballanca.
Ministrja e Arsimit foli për nevojën e rritjes së buxhetit arsimor.
“Ne duhet të rrisim buxhetin për arsimin. Reforma jonë arsimore dhe treguesit e saj për çdo fëmijë nga 3- 18 vjeç dhe në arsimin e lartë po jep çdo ditë rezultatet e veta. Ne sivjet adresuam klasat kolektive. 345 klasa kolektive u mbyllën”.
Në Shqipëri mijëra familje trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërsa në 6 mujorin e parë të këtij viti u përfshinë në skenë 52 700 familje.