Opozita me gjasa nuk do të jetë në Kuvend pas një jave kur të votohet ligji që mbyll bastet, por kjo nuk e ka penguar deputetin Dashamir Shehi të deklaroje votën e tij pro nismës së qeverisë. Shehi thotë se edhe do e votojë ligjin, nëse opozita rikthehet në Kuvend. Ndërsa ka disa sugjerime për nismën e kryeministrit.
Ai e gëzon mandatin e tij si deputet demokrat, por kjo nuk e pengon që të mbështesë vendimin e kundërshtarit politik për mbylljen e pikave të bastit në gjithë territorin e Shqipërisë.
“Nëse ka vendosur t’i mbyllë lojërat e fatit unë për vete jam dakord, por duhet të behet me transparence. Nuk duhet bërë që të mbyllen mijëra pika të vogla për t’i përqendruar në dy-tre duar. T’i mbyllë të gjitha që operojnë edhe ato online. Do mbahet mend që mes të gjitha zullumeve ka bërë edhe një gjë të mirë”, u shpreh Dashamir Shehi.
Një përcaktim më të qartë, Dashamir Shehi pret për vendndodhjen e kazinove, ndërsa sa i takon afatit 1 Janar për mbylljen e pikave te basteve kërkon më shumë tolerancë, për hir të mijëra vendeve të punës, të cilat parashikohen të mbyllen.
Meqënëse për biznesin e kazinove se ka përcaktuar se ku do jetë. Duhet definuar kush janë hotel me 5 yje. Se mund të fusë njerëzit e qeverisë. Tirana ka 5 edhe i bie që praktikisht nuk ke largu asgjë, Duhet më shumë kohë. Njerëzve duhet t’i jepet një kohe apo kompensim për të mos nxjerrë njerëzit në rrugë. Duhen 6 muaj deri 1 vit kur pritëm 5 vite s’bëhet qameti se ka shumë njerëz” tha Shehi.
Mazhoranca votoi që vendimi i kryeministrit për të mbyllur pikat e basteve të kalojë me procedurë të përshpejtuar në Parlament. Në kushtet e bojkotit, opozita nuk ishte në sallë, por aleati historik i Bashës deklaron publikisht votën pro, nëse ata rikthehen në kohë në Parlament.
“Moralisht po e aprovoj që sot, kur të jemi nëse do jemi se s’do hymë për këtë ligj”, tha deputeti.
Dashamir Shehi është i pari mes radhëve të demokratëve që mbështet publikisht vendimin e Edi Ramës.