MENU
klinika

Të funksionojë inspektimi online

Bizneset presin reformën e inspektimeve

20.10.2018 - 16:52

Bizneset kërkojnë reformë të inspektimeve. Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, thotë se ligji duhet të përcaktojë në mënyrë të qartë që inspektimi online duhet të funksionojë, sepse garanton gjurmueshmërinë dhe transparencën, shmangien e rryshfetit, korrupsionit.

“Ne do të donim që në ligjin e ri të thuhej qartë që inspektimi i parë i një biznesi duhet të jetë një inspektim këshillimor. Kjo do të thotë, që nëse do hapet një biznes i ri, inspektimet e para që do të bëhen nga të gjithë llojet e inspektorateve do të jenë këshillimore. Ndërkohë, duke i lënë një afat kohor, ti nuk je më një ‘xhandar monitorues’, por ti je autoritet zhvillues. Për shembull, ti do që të zhvillohet tregu i sallamerisë? Natyrisht që po! Atëherë, inspektorët i thonë biznesit ku nuk është në rregull, “kontrolloje, rregulloje dhe për 30 ditë unë do të vij të shikoj nëse i ke ndryshuar apo jo. Nëse pas 30 ditësh, ti nuk i ke plotësuar, atëhere unë të vë gjobë e të mbyll.” Kjo përveç rasteve të flagrancës, ku një subjekt po shkel në mënyrë flagrante ligjin dhe po kërcënon sigurinë ushqimore,” thotë ai.

Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i qendrës së eksporteve shqiptare, thotë se inspektoratet të kenë analiza rreziku. Sipas tij, duhet të përcaktohet në ligj detyrimi i inspektorateve që të bëjnë vlerësimin e riskut për fushën e vet të veprimtarisë dhe më tej edhe ta publikojnë atë.

Një masë e tillë do të impononte që inspektoratet të njohin mirë problematikat e fushës përkatëse e për rrjedhojë do jenë të detyruara që t’i orientojnë kapacitetet pikërisht në këto drejtime. Publikimi i këtij dokumenti të rëndësishëm do i jepte mundësi çdo subjekti që të bëjë vetëkontroll dhe t’i marrë në avancë masat përmirësuese dhe do i jepte mundësi grupimeve të bizneseve apo ekspertëve të ndryshëm që të bëjnë edhe oponencë. Gjithashtu, duhet të përcaktohet në ligj detyrimi i inspektorateve që të publikojnë raport çdo 6-mujor për arritjet e punës së tyre, konkretisht numrin e kontrolleve të ndara sipas gjeografisë, ritmikës së tyre dhe kategoritë e subjekteve të inspektuara,” thotë ai.

Sipas kreut të Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari, drafti i projektligjit për inspektimet ka shkuar për diskutim në Komitetin e Reformimit të Institucioneve të Varësisë, që drejtohet nga zëvendëskryeministrja, Senida Mesi.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN