MENU
klinika

Çështja ende e pazbardhur

Dilemat mbi zhdukjen e gazetarit/ I vrarë apo ende gjallë?!

10.10.2018 - 12:08

Sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, Jeremy Hunti i ka thënë Arabisë Saudite se Britania pret përgjigje urgjente mbi zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Në një thirrje telefonike për Ministren e Jashtme të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, Jeremy Hunt paralajmëroi se “miqësitë varen nga vlerat e përbashkëta”.

Khashoggi ishte parë për herë të fundit duke vizituar konsullatën saudite në Stamboll javën e shkuar dhe Turqia thotë se mund të jetë vrarë atje. Ndërkohë Arabia Saudite e mohon sugjerimin.

Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Britanisë së Madhe sipas raportimeve të medias tha se Britania e Madhe do ta trajtojë incidentin “shumë seriozisht”.

Më parë, të martën, Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se ende nuk kishte folur me zyrtarët sauditë rreth zhdukjes së gazetarëve.

Zonja Hatje Cengiz, e fejuarja e zotit Khashoggi, bëri thirrje në SHBA për ndihmë. Në një artikull emocionues në Washington Post, ajo shkruante: “I lutem Presidentit Trump dhe zonjës së parë Melania Trump për të ndihmuar të hedhin dritë mbi zhdukjen e Jamalit”. “Ne ishim duke bërë planet e dasmës, planet e jetës, kur ai u zhduk” tha ajo.

Turqia thotë se do të kryejë një kërkim në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Ministria e jashtme e Arabisë Saudite tha se vendi ishte i hapur për bashkëpunim.

Ai thotë se gazetari u largua nga konsullata pak pasi mbërriti, ndërsa Turqia thotë se nuk ishte pare duke e lënë ndërtesën.

Ankaraja po kërkon që Arabia Saudite të provojë se ai u largua, duke mos ofruar dëshmi për të mbështetur pretendimin se ai ishte vrarë brenda.

Kush është Jamal Khashoggi?

Një kritik i princit Mohammed bin Salman, z. Khashoggi jetonte në mërgim në SHBA dhe shkroi një opinion për Washington Post para zhdukjes së tij.

Më parë kishte qenë ish-redaktor i gazetës al-Watan dhe një kanali televiziv televiziv saudit. Për vite të tëra kishte qenë pranë familjes mbretërore saudite, duke qenë se kishte shërbyer si këshilltar i zyrtarëve të lartë sauditë.

Cili ka qenë reagimi ndaj zhdukjes?

kolana e librave

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i bëri thirrje Arabisë Saudite që të mbështesë një hetim për zhdukjen e tij dhe të jetë transparent për rezultatet.

Ekspertët e OKB-së kanë kërkuar një “hetim të shpejtë të pavarur dhe ndërkombëtar” për zhdukjen e tij.

Kur u pa për herë të fundit?

Khashoggi shkoi në konsullatë të martën e kaluar për të marrë një dokument që vërtetonte se ishte divorcuar nga ish-gruaja e tij, në mënyrë që të mund të martohej me Hatice Cengiz, dhe aty thuhet se u vra.

Çfarë kanë thënë të dy vendet?

“Ne besojmë se vrasja ishte paramenduar dhe trupi u largua më pas nga konsullata,” i tha Reuters një burim i paidentifikuar.

Një burim i cituar nga Washington Post tha se gazetari u vra nga një ekip saudit prej 15 vetësh dërguar në mënyrë specifike për vrasjen.

Kreu i Shoqatës së Medias Turke-Turan, Turan Kislakci, tha për New York Times se oficerët e policisë turke që mbronin konsullatën kishin kontrolluar kamerat e tyre të sigurisë, gjë që nuk tregoi se gazetari po shkonte në këmbë.

Turqia  thotë se po kontrollon kamerat e rrugëve për një furgon të zi që besohet të ketë larguar trupin e pajetë të zotit Khashoggi nga konsullata, ndërsa Washington Post publikoi pamje të gazetarit që hyri në ndërtesë të hënën.

Një zgjidhje e papranueshme?

James Robbins, korrespondenti diplomatik i BBC-së, në një analyze tregon se Britania e Madhe i ka thënë sauditve se duhet ta vërtetojnë se z. Khashoggi është gjallë dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë do të ishte që ai të shfaqej në televizion.

Nëse kjo nuk ndodh shpejt, është e qartë se Britania dhe aleatët e saj ka të ngjarë të arrijnë në përfundimin se Arabia Saudite e ka “tejkaluar masën”.

Vëllai i princit Mohammed dhe ambasadori saudi, Princi Khaled bin Salman al-Saud, ka insistuar se të gjitha lajmet për zhdukjen ose vdekjen e tij janë krejtësisht të rreme dhe të pabazuara.