MENU
klinika

Turizmi po ringre Greqinë

Ekonomia fqinje “sheh dritë në fund të tunelit”

28.10.2018 - 11:54

Ekonomia greke, që u tkurr me 26% të kapacitetit të saj përgjatë periudhës së krizës, ka nisur rimëkëmbjen. Deri tani gjatë këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Greqisë është rritur me 2.3% dhe merita kryesore i takon turizmit.

Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur për të pestin tremujor me radhë që nga fillimi i vitit 2017. Në qershor të këtij viti, më në fund, kryeministri Alexis Tsipras, vendosi një kravatë rreth qafës, ndërsa gjithmonë ka këmbëngulur se do të vishte një të tillë vetëm kur problem i borxhit të Greqisë do të zgjidhej.

Por, ka edhe nga ata që janë ende skeptikë. Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet se lehtësimi i borxhit i arritur mes qeverisë greke dhe partnerëve europianë ka përmirësuar ndjeshëm qëndrueshmërinë e borxhit në terma afatmesëm, por perspektiva afatgjatë mbetet e pasigurt. FMN paralajmëron se rreziqet e brendshme dhe të jashtme janë ende prezente.

“Nëse ka një mësim që e kemi marrë nga kjo krizë, ai është se në çdo rrethanë duhet të përpiqemi të mbrojmë stabilitetin makroekonomik,” shprehet Panos Tsakloglou, kryeekonomisti i qeverisë së kaluar greke. “Politikat populiste që mund të fitojnë disa vota sot do të kenë efekte katastrofike disa vite më vonë. Përndryshe, herët a vonë do të ndodhemi në situatën në të cilën jemi aktualisht,” thotë ai.

Greqia ka një borxh prej 180% të Produktit të Brendshëm Bruto, më i larti ndër 19 vendet e Eurozonës. Megjithatë, pavarësisht zhvillimeve pozitive, grekët janë pesimistë për të ardhmen, pasi vazhdojnë të paguajnë taksa të larta ndërsa masat shtrënguese do të jenë në fuqi edhe për shumë vite. Qeveria ka rënë dakord të implementojë ulje të pensioneve dhe rritje të taksave në vitet 2019-2020, pas përfundimit të pakesës së ndihmës.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përfundon paketa e ndihmës

5 mësime nga kriza greke