MENU
klinika

Arsyet pse ishte sukses

Eurobondi i tretë si provë pjekurie

03.10.2018 - 08:59

Eurobondi i emetuar të martën nga qeveria shqiptare shënon momentin më të suksesshëm të titujve të borxhit sovran shqiptar në tregjet ndërkombëtare. Arsyet janë disa. Tregjet ofruan interesin më të ulët për eurobondet në historinë afro nëntëvjeçare të pranisë së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të borxhit.

Në vitin 2010 Shqipëria debutoi me një kupon (interes) të obligacioneve në 7.5% dhe në vitin 2015 kuponi zbriti në 5.75%; për eurobondin e djeshëm kuponi rezultoi 3.55%, normë kjo vërtet e ulët, po të kemi parasysh stadin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe ratingun e borxhit sovran shqiptar. Sigurisht, kjo tendencë reflekton edhe ecurinë e përgjitshme të normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, që në vitet e fundit kanë rënë në nivele minimale, të shtyra nga politikat monetare super stimuluese.

Megjithatë, një interes i tillë reflekton edhe besueshmërinë në rritje të emetuesit, në rastin konkret, të qeverisë shqiptare. Politikat fiskale konsoliduese, axhenda e reformave dhe përvoja e viteve të fundit në tregjet e huamarrjes e kanë rritur kredibilitetin e Shqipërisë në sytë e investitorëve. Kjo dëshmohet edhe nga kërkesa e lartë e investitorëve për eurobondet në daljen e të martës.

Kërkesa totale e paraqitur nga investitorët arriti në rreth 1.25 miliardë euro, kundrejt 500 milionë eurove obligacione të ofruara për shitje nga qeveria shqiptare.

Risi tjetër me peshë ishte edhe maturiteti: për herë të parë, obligacionet u emetuan me një maturitet 7 vjeçar, ndërkohë që në daljet e vitit 2010 dhe 2015, eurobondi kishte qenë 5 vjeçar. Rritja e afatit të maturimit të borxhit gjithashtu është një tregues besueshmërie në rritje në tregje.

Përveçse një provë e suksesshme në tregje, eurobondi ishte edhe një rast i shfrytëzuar mirë për huamarrje me kushte të favorshme, përpara nisjes së pritshme të ciklit të rritjes së interesave në tregjet europiane.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN