Angela Merkel njoftoi të hënën se ajo do të tërhiqet nga skena politike kur mandati i saj si kancelare e Gjermanisë të përfundojë në vitin 2021. Kjo mund të ndodhë më shpejt nëse zgjedhjet do të mbahen para kohe.
Nuk është karizma, guximi apo elokuenca që e kanë bërë të mrekullueshme Merkelin. Ashtu si mentori dhe paraardhësi i saj, kancelari Helmut Kohl, Merkel është mjaft e butë në të folur dhe sjellje. Slogani i saj në zgjedhjet e fundit “Për një Gjermani ku jeta është e mirë dhe ne e gëzojmë atë”, përmbledh stabilitetin, harmoninë dhe mirësjelljen që ka mbizotëruar në Gjermani. Në 13 vitet me Merkelin në krye, Gjermania ka qenë një vend mjaft i qetë dhe i begatë, pavarësisht disa stuhive politike.
Por pikërisht me atë qetësi, qëndrueshmëri dhe vendosmëri, në kohën kur populistët po rrisnin ndikimin në Evropë, kur Vladimir Putin po ringjallte një Rusi armiqësore, kur Presidenti Trump merrte rolin e udhëheqësit të Amerikës dhe Britania po përpiqej të linte Bashkimin Europian, Merkel mori rolin e “udhëheqëses së botës”.
Titulli mund të jetë pak i ekzagjeruar, më mirë do të ishte të thuhej se ajo u bë e vetëdijshme për nevojën për të menaxhuar një botë pa liri. Megjithatë, ajo mbetet Merkel, gruaja e parë kancelare gjermane, që kundërshtoi Trump dhe Putin, të cilët thonë se nuk ishte aspak vendim i zgjuar, që Merkel hapi dyert e Gjermanisë për refugjatët dhe ra dakord për tre paketa shpëtimi për Greqinë.
Shumë prej vendimeve të Merkelit kanë marrë shumë kritika. Hapja e kufirit të Gjermanisë me refugjatët është konsideruar si shkaku i rënies së popullaritetit të Merkel. Megjithatë, veprimet e Merkelit, ndryshe nga populistët evropianë dhe Trump, tregojnë vlera morale.
Kjo është ajo që Merkel, tani 64 vjeç, ka bërë për 13 vjet, duke dëgjuar më shumë “busullën e brendshme” të besimit të saj luterian sesa ndonjë ideologji tjetër.
Në çështjet e jashtme, Merkel ka qenë një kampione e fuqishme e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe mbrojtjes së një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Një studim i Qendrës Kërkimore Pew zbuloi se 52 përqind e të anketuarve na 25 vende kishin më shumë besim tek Merkel, sesa tek udhëheqësit e Francës, Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndaj duket se pasardhësi i Merkelit do të ketë një detyrë të vështirë: riorganizimi i Bashkimit Europian pa Britaninë, forcimi i institucioneve që kontrollojnë euron, përplasjet me administratën e Trumpit dhe populistët fqinjë.
Por Merkel po bën veprimin e duhur që po heq dorë. “Unë nuk dua të jem gati në të vdekur kur të largohem nga politika,” tha ajo para se ajo të bëhej kancelare, dhe së fundmi ajo dhe koalicioni i saj dukeshin të lodhur.
13 vjet janë të mjaftueshme për çdo udhëheqës politik. Dhe liderët më të mirë janë ata që e dinë kur është koha për tu larguar.
Nga New York Times