MENU
klinika

Gjiknuri në Uzinën e Burrelit

Ferrokromi, 28 milionë USD eksporte

14.10.2018 - 11:47

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ishte në Uzinën e Ferrokromit në Burrel. Ai vuri theksin tek efektiviteti i masave të marra nga qeveria për ringjalljen e industrisë së kromit.

“Deri para disa vitesh, kjo uzinë qe totalisht e braktisur. Falë investimeve private dhe politikave nxitëse të qeverisë sot kemi një industri që po shtohet. Kemi dyfishim të kapacitetit por çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare? Vetëm kjo uzinë e ferrokromit i jep ekonomisë shqiptare 28 milionë USD më shumë. Pra, nëse ky krom që përpunohet këtu do të eksportohej mineral në tregjet e eksportit, ekonomia shqiptare do t’I humbte këto para. Sot që flasim, këto 28 milion USD janë përkthyer në investime, janë përkthyer në punësim, janë përkthyer në një zinxhir ekonomik që prek edhe shumë sektorë të tjerë të lidhur me industrinë e kromit”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ai nënvizoi se investimet kanë rritur kapacitetet përpunuese brenda vendit duke tejkaluar edhe prodhimin e e ferrokromit të para viteve ’90 ndërsa sqaroi se vetëm kjo uzinë punëson 180 persona me paga mesatare 60 mijë lekë të reja në muaj.

Gjatë vitit 2017, shoqëria koncesionare ka kryer 11 milionë USD investime duke rehabilituar një furrë të vjetër, ndërtuar një të re, ashtu skurse sistemet e dozimit të furrave, impiantet e copëtimit dhe sitosjes së mineralit të kromit, sistemin ftohës, vinçat, repartet e shkrirjes dhe derdhjes dhe mekanizmin deri në përpunimin final të ferrokromit të gatshëm për eksport.

Ky investim ka mundësuar rritjen e kapacitetit prodhues të ferrokromit në Uzinën e Ferrokromit Burrel duke e dyfishuar atë. Kjo uzine do të prodhojë 36 mijë tonë ferrokrom në vit, nga rreth 17 mijë tonë në vit që ishte vetëm një vit më parë produkt i cili shkon 100% në eksport.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Më shumë të ardhura buxhetore

Rritet eksporti i naftës bruto