MENU
klinika

Shkallë e lartë rrezikshmërie

Gjirokastra, qyteti me “pullë të kuqe”

20.10.2018 - 16:21

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një takim në prefekturën e Gjirokastrës e ka deklaruar këtë të fundit si një nga qytetet më të rrezikuara në vend nga fatkeqësitë natyrore. 

Një fond prej mbi 85 milionë lekësh, mësohet të jetë akorduar për të bërë të mundur nisjen e punimeve rehabilituese për një nga lagjet më të rrezikuara, “Kodra e Shtufit”.

Çako e cilësoi Gjirokastrën si një qytet me “pullë të kuqe” që nënkupton shkallë të lartë rrezikshmërie.

“Gjirokastra është e rriskuar nga përmbytjet, edhe për shkak të infrastrukturës dhe sistemit, ndaj ka qenë në dritë të kuqe. Lagjja ‘Cfakë’ dhe ‘Kodra e shtufit’ janë dy zona problematike, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme”, u shpreh ai.

Haki-Cako-gjirokastra me pulle te kuqe
Haki-Cako-gjirokastra me pulle te kuqe

Për kreun e Emergjencave Civile, projektligji i ri i mbrojtjes civile do të bëjë përshtatjen me vendet e tjera të Bashkimit Europian, duke e bërë Shqipërinë pjesë të mekanizmit të Unionit Europian.

Sipas Çakos, Shqipëria është një vend me risk shumë të lartë, përsa i përket fatkeqësive natyrore dhe kjo për shkak të ndërhyrjes njerëzore në mënyrë të paligjshme.

“Prerja e pyjeve, shkatërrimi i shtratit të lumenjve, ndërhyrjet e ndërtimet pa kriter janë shkaqet kryesore të këtyre fenomeneve natyrore, me pasoja të jashtëzakonshme”, pohoi Çako.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami, theksoi se Bashkia e Gjirokastrës është në zbatim të rekomandimeve të lëna nga Instituti i Gjeologjisë për marrjen e masave të menjëhershme që synojnë uljen e rrezikshmërisë në zonat më të rrezikuara.

“Jemi në zbatim të këtyre rekomandimeve të lëna nga Instituti i Gjeologjisë për ndërhyrje emergjente si në lagjen ‘Punëtore’ edhe te ‘Kodra e Shtufit’.

Po konsultohemi për një projekt rehabilitues në kodrën e lagjes ‘Cfakë’ dhe kalasë së Gjirokastrës që të garantohemi për problemet e këtyre fenomeneve natyrore”, u shpreh Rami.

Një fond prej mbi 85 milionë lekësh do të mundësojë nisjen e punimeve rehabilituese në lagjen “Kodra e Shtufit”, ku katër katet e para të një pallati tetëkatësh u përmbytën nga balta.

Sipas kryebashkiakes Rami, punimet në këtë kodër priten të fillojnë brenda këtij 10-ditëshi, ndërsa ka përfunduar hartimi i projektit teknik dhe aktualisht po bëhet përzgjedhja e firmës fituese për realizimin e investimit dhe të fillimit të punimeve.

Plot 16 banesa u rrezikuan vetëm në qytetin e Gjirokastrës si pasojë e rrëshqitjes së dherave në muajt janar dhe shkurt të këtij viti.

Disa banesa në lagjen “Cfakë” pësuan plasaritje të tyre, duke detyruar banorët të bëjnë evakuimin e menjëhershëm nga banesa 8 muaj më parë, ndërsa dëmtime të shumta pati në ujësjellës dhe argjinatura, krahas bllokimit të disa segmenteve në akset kryesore nacionale Gjirokastër – Kakavijë dhe Tepelenë – Gjirokastër.