MENU
klinika

Marrëveshja

Gjonaj me zyrtarin amerikan: Plan veprimi kundër ekstremizmit

17.10.2018 - 19:44

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka pritur sot në një takim zyrtar Ambasadorin e posaçëm dhe Koordinatorin kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, z.Nathan A. Sales. Forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, si parakusht për garantimin e paqes dhe sigurisë globale ka qenë tema kryesore e diskutimit.

Ministrja Gjonaj e ka siguruar Ambasadorin Sales për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të qenë pjesë e aleancës progresiste kundër çdo forme të ekstremizmit të dhunshëm apo terrorizmit. Ajo ka folur për masat e marra veçanërisht në kuadër të shkëmbimit të ndërsjelltë të informacionit me partnerët strategjikë, duke rritur kështu efektivitetin e masave për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit.

Gjonaj ka vlerësuar se ka një bashkëpunim dhe koordinim shumë të mirë midis Ministrisë së Drejtësisë, Koordinatorit Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, duke ndjekur një strategji të mirëfilltë, me një plan veprimi të miratuar kundër ekstremizmit të dhunshëm.