MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

‘Guri’ serb i Kuririt dhe 100 mediat tona ‘të mençura’

06.10.2018 - 20:17

Lajmi i fundit i nxjerrë nga gazeta serbe Kurir në lidhjet e supozuara rozë tek disa familje të fuqishme politike kosovare, evidenton disa probleme dramatike.

Fuqia e fake news njësoj si një ortek, i shndërron lajmet në hapësirën e madhe mediatike për shkak të klikimeve.

Ndonëse e kanë respektuar të drejtën e autorit duke e cituar Kuririn, mediat shqiptare kanë rënë pre e mediave të Beogradit dhe e kanë vendosur në qendër të vëmëndjes këtë fake news të Kurir.
Si pasojë audienca e Kuririt nuk ishte më e Kurir po e gjithë ballkanit dhe e gjithë mediave shqiptare po ashtu.

Por si mundet që mediat shqiptare t’i japin hapësira të tilla lajmeve që nuk janë rozë, por me sfond të thellë politik ndërkombëtar?

Sistematikisht mediat e Kosovës i japin hapësirë çdo lloj lajmi që prodhohet nga Beogradi, edhe pse regjimi i Vuçiç përgatit sulme propagandistike, sulme që kjo ‘kuzhinë’ i bën politikanëve të caktuar të Kosovës, qoftë nga ana e qeverisë apo edhe opozitës.

Është krejt e qartë që idetë e fabrikuesve të Beogradit mund të përputhen me dëshirat e ndonjë aktori në Prishtinë, po jo gjithmonë “armiku i armikut tim është miku im”.

Ky ishte rasti i fundit, por edhe në rastet e tjera si në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të para disa javëve, mediat e Kosovës ranë pre e makinacioneve të mediave të Beogradit, duke publikuar ‘incidente’ të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit dhe të zyrtarëve të tjerë kosovarë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ndërkohë që mediat serbe janë kompakte, mediat e Kosovës në mënyrë infantile botojnë shkrime të mediave serbe kundër liderëve politik kosovarë, edhe kur në lojë është përplasja në dialogun Kosovë- Serbi.

Kurir konica.al

Së dyti cili është kuptimi politik i këtij fabrikimi mediatik, të cilin disa media të Shqipërisë e hoqën pak minuta pasi doli, ndoshta edhe nga presioni i ardhur nga Kosova apo nga diku tjetër?

Është krejt e qartë që qëllimi i këtij publikimi ka qenë prishja e një harmonie, uniteti minimal, që duhet të ekzistojë midis liderëve politik të Kosovës në lidhje me bisedimet në këtë fazë të dialogut me Serbinë. Ideatorët e kësaj lëvizjeve, që rritën efektin e këtij fabrikimi edhe për shkak të naivitetit kombëtar të mediave tona, kanë qëllim që ta përçajnë politikën e Kosovës në një moment si ky.

Nga ky fakt i fundit kuptohet se cili është interesi i Beogradit i lidhur me këtë përçarje. Ata duan që Kosova të jetë sa më destruktive në këtë dialog, sa më e dobët, sa më e përçarë si dhe sa më qesharake.

Ideatorët e këtyre fabrikimeve është e dukshme që vijnë nga shërbimet sekrete, sepse aferat rozë të supozuara të liderëve politik të Prishtinës, nuk fabrikohen në Beograd për të prodhuar klikime në Serbi, pasi audienca atje nuk ka interes. E gjitha kjo ndodh me qëllim për të turbulluar skenën politike të Kosovës.

Me këtë fabrikim të fundit, fantazia e fabrikuesve arriti në një nivel që parathotë, apo paralajmëron se deri ku mund të arrijë lufta hibride në marrëdhëniet e sotshme ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet e sotme rajonale në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Serbia e kontrollon Kosovën në shumë element, sepse ka qenë një territor i pushtuar prej saj, i kontrolluar prej saj si dhe prej shërbimeve sekrete të saj. Por që lufta hibride të arrinte këtë karakter kjo ishte diçka surprizë. Kjo gjë parathotë që supriza të tjera si kjo mund të ndodhin në të ardhmen.

Thjesht shqiptarët, mediat e tyre duhet të jenë të përgatitura të mos shndërrohen në atë që ish kryeministri Berisha e thotë metaforikisht, në “argat të Beogradit”. Përndryshe fabula e gurit të budallait që vendos 100 të mençur që ta nxjerrin gurin nga uji, do të merrte formën e gurit të të mençurit që vendos 100 budallenj që ta nxjerrin atë nga uji.

Kuptohet qartë që guri i serbëve nuk është gur i një budallai, por gur i një të mençuri, ndërsa budallenjtë janë ata të cilët japin besueshmërinë duke publikuar fabulën e Kuririt. Gjahtarët e klikeve të Prishtinës dhe Tiranës që plasojnë fake news-e të tilla, shpresojmë që i bëjnë vetëm për klikime, në rast se nuk janë në të vërtetë “argat të Beogradit”.

“Përgëzime të përzemërta për liderin e PD-së!“

Lirimi i Sali Berishës, reagon nga qelia Ilir Meta

Vrasja e 14-vjeçarit që tronditi opinion publik

Karamuço: Mjeku bëri mrekulli me fëmijën e dytë…

Kush janë zyrtarët e tjerë që iu bashkuan presidentëve

Joe Biden dhe Donald Trump dy orë takim kokë më kokë