Grupi kriminal i Bajrave akuzohet për një sërë veprash penale të ndryshme.
Kështu, pjesëtarë të ndryshëm të grupit janë duke u hetuar për disa vrasje dhe atentate në qytetin e Shkodrës, por edhe në vende të tjera.
Gjithashtu, burime brenda grupit hetimor thonë se grupi i Bajrit dyshohet se merret edhe me trafik droge, ndërsa kohët e fundit ishte organizuar në vendosjen e gjobave në qytetin e Shkodrës.
Veç të tjerave, grupi po hetohet edhe për pastrim parash, trafik droge, shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie, armëmbajtje pa leje si edhe shumë vepra të tjera penale.
Në ngarkim të grupit rëndojnë edhe dy akuza për vrasje të ndodhura në vitin 2001 dhe në vitin 2002, që kanë mbetur të pazgjidhura deri më sot.
Me një karrierë të gjatë kriminale paraqitet Behar Bajri, që tashmë dyshohet si personi kryesor që mund të ketë vrarë 15-vjeçaren Fabiola Bajri, bashkëshorten e tij.
Kjo e fundit u gjet më datë 26.06.2002 e pajetë në banesën e saj me një plumb në kokë. Ngjarja u klasifikua si vetëvrasje, por tani dyshohet se e ka vrarë Behar Bajri.
Gjithashtu, Bajrët dyshohet se janë të përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Kështu, ata dyshohen edhe për vrasjen e vëllezërve Osman dhe Artur Alibali në vitin 1999 në Shkodër dhe Bajrët se kanë grabitur dhe plagosur shtetasin Arben Tuzi në vitin 1999 dhe më pas i kanë bërë atentat në vitin 2001, ku ai ka gjetur vdekjen.
Ndër të tjera, mbi anëtarë të ndryshëm të grupit rëndojnë akuza të shumta.
Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me Policinë e Shtetit kanë rreth gjashtë muaj që kryejnë hetime për grupin e Safet Bajrit.
Të dhënat nga grupi hetimor thonë se janë kryer me dhjetëra orë përgjime telefonike dhe ambientale për anëtarët e grupit.