Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e shkëmbimit të territoreve apo korrigjim të kufijve në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, tha se me këtë ide presidenti Hashim Thaçi është ofruar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por ka larguar subjektet politike në vend.
Hoti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës tha se një ide e tillë për shkëmbim territoresh me Serbinë ka krijuar pasiguri politike në vend.
“Janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë për konsolidimin e shtetësisë. Shkëmbimi i territoreve është ide e Beogradit dhe Moskës”, tha Hoti, duke shtuar se kjo ide nuk ka të bëjë me miqtë tanë ndërkombëtar.
Ai tha se Rezoluta e propozuar do të ketë vetëm një pikë, e që e definon territorin si të pandashëm, ku as presidenti dhe askush tjetër nuk ka mandat për të diskutuar për territorin e Kosovës. /Konica.al/