Kanye West ka ndryshuar totalisht qëndrim ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ai ka reflektuar dhe ka dalë në përfundimin se është përdorur për të lëshuar mesazhe politike. Por tanimë e ka mësuar leksionin dhe ka vendosur të distancohet nga Donald Trump dhe lëvizja “Maga”.
“Sytë e mi janë hapur dhe kuptoj se jam përdorur të shpërndaj mesazhet tek të cilat nuk besoj. Distancohem tërësisht nga politika dhe jam fokusuar tek të qenit vetëm kreativ”, shkruan në “Twitter” bashkëshorti i Kim Kardashian.
Për ta përforcuar se nuk do të ketë më punë me presidentin amerikan, ai theksoi se ndihet keq për të gjithë personat që po kërkojnë azil si dhe për prindërit që luftojnë të mbajnë fëmijët e tyre larg dhunës dhe luftës.
Por jo vetëm me Kanye, Donald Trump është përballur së fundmi edhe me këngëtarin tjetër të famshëm, Pharrell Williams. Ai i ka kërkuar formalisht Presidentit Donald Trump që mos ta luajë më muzikën e tij në takimet apo tubimet që bën.
Këngëtari dhe njëkohësisht producenti shumë i njohur, në fakt jo vetëm i ka kërkuar por i ka dhënë një ultimatum nëpërmjet avokatit të tij miliarderit që është në krye të Shtëpisë së Bardhë. Kjo ka ardhur pasi në një event të mbajtur në Pittsburgh nga presidenti, vetëm disa orë pasi 11 veta u vranë në një sulm me armë po në këtë qytet, u luajt kënga e Pharrell, “Happy’’.